zoom

Aktualitet

Reshjet pushtojnë vendin, ngrihen të gjitha shtabet e emergjencave

Kreu i emergjencave, Haki Çako ka reaguar ditën e sotme lidhur me situatën e reshjeve në vend.

Sipas Çakos janë duke u marrë të gjitha masat për të parandaluar që situata të agravojë dhe se momentalisht prurjet janë përgjysmuar krahasuar me ditën e djeshme.

Ai deklaroi se nuk ka përmbytje masive, dëme në njerëz apo bagëti deri më tani.

“Ne kemi ndjekur gjithë natën dhe prurjet kanë qenë maksimale. Deri në orën 3 të mesnatës ka pasur nivel të lartë të ujit dhe kemi ngritur të gjitha shtabet e emergjencave.

Për fat të mirë nuk ka probleme në njerëz apo në bagëti, banorët janë larguar vetë nga banesat në tërritoret e ekspozuara. Në këtë moment sipas matjeve janë përgjysmuar prurjet në Memaliaj”, u shpreh Çako.

Për mediat ka folur gjithashtu edhe prefekti i qarkut Fier Lefter Shehaj. Ai ka thënë se pritet që intensiteti i ujërave të Vjosës të shkojë në renie dhe se po punohet per evidentimin e problematikave.

“Prej dy ditësh ka pasur reshje intensive në shkallë vendi ka sjellë dhe mbingarkesën e lumit Vjosa. Po marrim masa për të evidentuar çdo problematikë dhe aktualisht nuk ka përmbytje masive. Në Ferras disa banesa ka prezencë uji dhe disa familje janë evakuuar. Nuk ka asnjë rrezik për banorët dhe pritet një intensitet në rënie në prurjet e Vjosës.”

Postime të lidhura