zoom

Aktualitet

“Spitali i Lushnjës, vetëm për synetllëqe”/ Deputeti godet sërish, opozita përpiqet të mos përsërisë gabimin

Deputeti demokrat Saimir Korreshi, në seancën e sotme plenare, numëroi një mori problemesh që has Lushnja në lidhje me sistemin shëndetësor dhe atë arsimor sidomos gjatë pandemisë.

Korreshi i mëshoi faktit se në spitalin e Lushnjës nuk jepet asnjë shërbim, përveç synetllëqeve, kurse shkollat sipas tij janë në kushte skandaloze.

Këto fjalë të Korreshit shkaktuan sërish reagime në sallë, ashtu si edhe herën e fundit, ndërsa për të mos përsëritur “gabimin” e parë, deputetët demokratë u përpoqën të merreshin me diçka tjetër ndërkohë që ai fliste. Gjekmarkaj vuri kufjet, Dashnor Sulaj nuk e mbajti të qeshurën, kurse Alibeaj ia arriti duke u sforcuar shumë.

Në fjalën e tij, Korreshi sqaroi se opozita gjithnjë ka qenë pro vaksinimit, por shtoi se deri dje në dispozicion ishin vetëm vaksinat kineze. Sipas tij, në Lushnjë për të bërë vaksinën e Pfizer duhet “mik i fortë” dhe për të bërë një skaner duhet të presësh të paktën katër javë.

“Në Lushnjë për të bërë Pfizer duhet ndërhyrje, për një skaner duhen 4 javë. Nuk punon priza, nuk ka lëng për të bërë skanerit, sa do presin këta njerëz për t’ua diagnostikuar?”

Nuk munguan as akuzat për drejtuesit e Spitalit të Lushnjës për të cilët tha se në kulmin e pandemisë “kishin hallin e tenderit të urgjencës.”

“Asnjë s’e merr në dorëzim, thonë se ka shkuar 250 milionë. Një kërkesë kam, vetëm kohën që harxhoni në parukeri u them të vini në Lushnje. Qeshët me minjtë, sot s’po gjen mace, i kanë çuar të gjithë te spitali. A e dini që infermierët po gëzojnë se jemi në kushte pandemia se bëjnë shërbime jashtë dhe kërkojnë nga 50 mijë lekë.Spitali i Lushnjës është kthyer në një spital që bën vetëm synetlliqe dhe ndonjëherë të apandecitin.”

Kurse duke folur për shkollat, deputeti i Lushnjës tha se jo vetëm masa që nuk janë marrë por as maska nuk ka për shkollat. Sipas tij, kushtet janë të mjerueshme në institucionet e arsimit.

Për krizën aktuale të paralajmëruar, duke shpjeguar se nuk i kupton mirë shifrat, kishte vetëm një lutje:

“Do t’u lutesha ta provoni një muaj me rrogën tuaj të parlamentit nëse do t’ia dilni në fund të muajit.”

Kujtojmë se deputeti Sajmir Korreshi tërhoqi vëmendjen në seancën maratonë të 16 shtatorit në kuvend, kur foli për kushtet në spitalin e Lushnjës, ku “të del miu, s’di nga të vesh”.