zoom

Politikë

Berisha nga Gjirokastra: Rama po indukton krizë në çdo familje, kemi rezervat më të mëdha të ujit

“Foltorja” e ish-kryeministrit Sali Berisha është ndalur pasditen e sotme në qytetin e Gjirokastrës. Ai është pritur nga ish-presidenti Bujar Nishani, nga deputeti Tritan Shehu dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të PD. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se sot demokratët janë thërritur në një mision të madh, për të shpëtuar Partinë Demokratike.

Ai ka akuzuar ashpër kryeministrin Rama duke e etiketuar si shpresvrasësin e të rinjëve shqiptarë. Ai ka përmendur edhe krizën e energjisë që kryeministri Rama paralajmëroi duke thënë se Shqipëria ka rezervat më të mëdha të ujit. Sa i përket rritjes së gazit Berisha tha se Shqipëria nuk prodhon energji nga gazi dhe se kjo është një krizë që Rama përpiqet të induktojë në çdo familje shqiptare.

“Qëndrimet e demokratëve dhe mbështetësve të PD në qarkun e Gjirokastrës dhe në rrethe të tjera kanë patur një rëndësi të jashtëzakonshme në realizimet e projekteve tona. Sot demokratët janë thërritur në një mision të madh, në shpëtimin e demokracisë dhe Partisë Demokratike. Pas 30-vitesh sot kemi një qeveri më antishqiptare, qeveri e rekordeve më të zeza. Sot kemi një qeveri e cila në 8 vite bëri që shqiptarët të jenë më të keqpaguarit, një vend që kemi shënuar vetëm rekorde të zeza vetëm për shkak të kësaj qeverie. Ai që ka marrë mandatin e tretë është një shpresvrasës i pamëshirë i të rinjëve shqiptarë. Sot lajmi që jep Rama është kriza që do të përfshijë Shqipërinë. Është rritur gazi, por sa energji prodhojmë ne nga gazi? Zero! Është kriza që do të induktojë në çdo familje shqiptare. Ky vend rezervën më çmuar ka kaskadën e Drinit. Ajo ishte plot e për plot edhe në Gusht. Ç’punë ka rritja e naftës në Shqipëri? Lajmi tjetër ishte se korrupsioni e krimi e mbajnë Shqipërinë larg BE-së”- tha Berisha.