zoom

In Zoom

Nga plani për vrasjen e Zaev te atentati ndaj Kiro Gligorov vite më parë

Plani i zbuluar nga mediat greke për vrasjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka risjellë në kujtesë atentatin e bërë ndaj presidentit të parë të Maqedonisë, Kiro Gligorov.

Më 3 tetor të vitit 1995 një makinë e mbushur me eksploziv shpërtheu në rrugën “Maqedonia”, përpara hotelit Bristol në Shkup kur Gligorov po lëvizte me makinën zyrtare nga rezidenca e tij për në zyrë.

Ishte ora 09:50 kur 20 kilogram eksploziv të fshehur në një makinë “Citroen” u hodhën në erë.

Shpërthimi do të ishte fatal për shoferin Aleksandar Spirovski dhë një kalimtar të rastit. Ndërsa Gligorov dhe truproja e tij, Illço Teovski, mbetën të plagosur së bashku me dy kalimtarë të tjerë.

Hetimet, që përfshinë edhe shërbimet sekrete amerikane, ato të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, nuk arritën të zbulojnë autorësinë.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme Ljubomir Frčkovski pohoi publikisht se “një kompani e fuqishme shumëkombëshe nga një vend fqinj” qëndronte prapa atentatit.

Dyshimet ranë mbi “Multigroup”, një kompani bullgare e zotëruar nga Iliya Pavlov, një prej njerëzve më të pasur të rajonit, i dyshuar për lidhje me mafian bullgare, i cili u vra në vitin 2003. U qëllua me snajper teksa qëndronte në zyrën e tij.

Edhe shërbimi i fshehtë i Bullgarisë ishte i dyshuar, por dyshimet s’u vërtetuan asnjëherë.

Gjatë një takimi midis Iliya Pavlov dhe Gligorov në Ohër, Pavlov e siguroi Gligorovin se organizata e tij nuk ishte e përfshirë.

Nga atentati Gligorov humbi përgjithmonë shikimin në njërin sy. Gligorov vdiq më 1 janar të vitit 2012. /Zoom.al