Në takim mori pjesë Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri italian Mario Draghi, Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, si dhe liderë e përfaqësues të lartë nga Malta, Greqia, Qipro, Sllovenia, Kroacia dhe Portugalia.
Ata ritheksuan angazhimin e tyre në objektivat e parashtruara në Marrëveshjen e Parisit dhe bënë thirrje për integrim më të thellë të politikave klimatike në mbarë Europën si dhe bashkëpunim më të ngushtë me mekanizmin e BE për përgjigjen ndaj katastrofave natyrore.
Rajoni u përfshi nga zjarre masive si pasojë e valës së të nxehtit gjatë muajve të verës. Ndër shtetet më të prekura ishte Greqia, me qindra vatra të regjistruara, dhe me mijëra kilometra katrorë pyje të djegura, veçanërisht në ishullin Evia dhe zonat jugore të vendit.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është shprehur se rritja e temperaturave në rang global ka qenë shkaku kryesor i zjarreve dhe krijoi një ministri të re për ndryshimet klimatike si pjesë e premtimit për ta bërë klimën një prej prioriteteve të qeverisë.
Bisedimet u përqendruan gjithashtu rreth krizës në Afganistan dhe emigracionin me Greqinë, Italinë, Spanjën dhe Maltën, si një prej rrugëve kryesore që trafikantët përdorin për të kaluar njerëzit drejt Bashkimit Europian.
E shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Afganistan, Greqia ka bërë të qartë se do të shtrëngojë qëndrimin ndaj emigrantëve.
Autoritetet greke ndaluan protestat dhe grumbullimet në Athinë për takimin një ditor të liderëve. /Euronews