zoom

Ide & Blog

Po sikur këtë herë vërtet “fajin ta ketë Saliu”?

Nga Altin Janaqi

Kam lexuar e dëgjuar komente nga më të ndryshmet që prej së enjtes mbrëma kur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpalli vendimin e tij për të përjashtuar “përkohësisht” Sali Berishën nga grupi parlamentar. Të gjithë projektorët u drejtuan nga kreu i selisë blu mbi arsyet, prapaskenat, qëllimet apo mënyrën si Basha arriti në këtë pikë.

Kritikët e Bashës i mëshojnë faktit që ai u tregua edhe një herë i paburrë për t’u thënë “JO” amerikanëve; se nuk mblodhi strukturat, por mori një vendim në kokën e tij; se shkeli statutin e PD-së; se ka bërë pazar me Ramën për bashkëqeverisje; se duhet të hiqte nga këmbët pengesën më të madhe që prej 8 vitesh i qëndronte rrotull; etj. Të gjitha mund të kenë një pjesë të së vërtetës. Edhe ata që mendojnë ndryshe, mund të kenë të gjitha arsyet për ta kryqëzuar Bashën. Edhe ata që sot i numërojnë 1 mijë dështime Bashës në krye të PD nuk bëjnë gabim. I meriton të gjitha.

Në krahun tjetër reagimin e Berishës e pamë të gjithë. Si gjithmonë, ai nuk u bie anash sfidave, por ndjek rrugën më të vështirë. Ai duket se ka vendosur të rikthehet edhe një herë në krye të partisë. Duke dëgjuar deklaratat e tij, nuk është e vështirë të kuptosh se Partia Demokratike tani rrezikon shumë dhe ndodhet në prag të një çarjeje të madhe me pasoja ndoshta të parikuperueshme.

Por a është vendimi i Bashës shkaku i kësaj stuhie në selinë blu? Për njerëz që janë jashtë PD-së dhe larg interesave të njërit apo tjetrit krah mund të jetë një pasojë. Gjeneza e këtij konflikti ndoshta nuk ishte kur Lulzim Basha doli në TV për t’u thënë demokratëve se Sali Berisha nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar.
Ajo ndoshta fillon mëngjesin e 19 majit kur një mesazh në Twitter i Sekretarit Amerikan të Shtetit Anthony Blinken njoftoi shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit shqiptar dhe familjes së tij. Arsyeja: “Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri”. Pse dhe si u mor ky vendim është debat tjetër.
Berisha edhe në atë kohë zgjodhi rrugën më të vështirë që askush para tij, jo vetëm ta ketë bërë, por ndoshta as ta ketë shkuar në mendje. Ai paditi Sekretarin Blinken në një gjykatë në Paris ndërsa po me të njëjtën kokëfortësi tha se nuk do të largohej nga grupi parlamentar i PD-së dhe madje do të ishte 10 herë më aktiv. Edhe deklarata se beteja e tij, nuk duhej të ishte një betejë e PD-së sërish duket e pasinqertë.

Që në këtë moment ai u bë “një barrë” jo vetëm për Lulzim Bashën, por edhe për Partinë Demokratike. Nëse Berisha, siç thotë e ka konfliktin me Blinken, në krahun tjetër Lulzim Basha e ka problemin me SHBA. Presioni ndaj këtij të fundit duhet të ketë qenë i madh duke e marrë të mirëqenë atë që ai ka thënë. A ishte i zoti Basha ta mbante këtë presion dhe a ishte kjo rruga që ai duhet të ndiqte, edhe kjo ha debat.

Por, imagjinoni një skenar tjetër.
Në momentin që Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli vendimin për Berishën, ky i fundit të zgjidhte një tjetër rrugë. Përveç padisë në Paris, Berisha mund të kishte vendosur largimin nga strukturat e PD-së, për të mos e përfshirë partinë që ai themeloi dhe drejtoi për kaq vite në një konflikt me Shtetet e Bashkuara. Në momentin që Berisha hynte në parlament si deputet i lirë, i hiqte Bashës presionin amerikan dhe mundësinë kundërshtarëve politikë që ta përdornin si pjesë të luftës politike që menjëherë e konsideruan “një dhëmballë të prishur”.

Një akt i tillë i Berishës ndoshta do të çlironte të gjithë demokratët. Ai zgjodhi rrugën që zgjodhi. Publikimi i fotove në Facebook duke buzëqeshur me ish-presidentë amerikanë nuk e kthejnë vendimin e marrë në DASH.

Gjithmonë fjala “tërheqje” ka qenë e vështirë për Sali Berishën. E tillë ishte në ’97-ën kur vendi po shkonte drejt një lufte civile. Kur humbi zgjedhjet në 2013-ën ishte ndoshta momenti më i mirë për ta mbyllur kapitullin e tij të jetës politike. I kishte provuar të gjitha: opozitar, deputet, kryeministër, president. Por ai vijoi të ishte prezent dhe hija e tij endej në korridoret e SHQUP-it.

Angela Merkel ndoshta mund të fitonte edhe një mandat të pestë në Gjermani, por nuk e provoi pasi në politikë kur është mjaft …është mjaft.