zoom

Politikë

Lindita Nikolla apo Mimi Kodheli në krye të Parlamentit? Rama do ta zyrtarizojë emrin së bashku me ministrat

Kryeministri Rama pritet të zbulojë emrat e ministrave të rinj gjatë fjalës që po mban në Asamblenë e PS. Bashkë me kabinetin, ai do të bëjë të ditur edhe strukturën drejtuese të Kuvendit të Republikës. Zoom.al mëson se në krye të Kuvendit Rama ka zgjedhur një grua. Një burim brenda PS i tha Zoom.al se emri i përzgjedhur nga Rama është ai i Lindita Nikollës. Por në garë bashkë me të është edhe një tjetër ish -ministre, Mimi Kodheli.

Postin e kryetarit të Kuvendit, të lënë bosh nga Gramoz Ruci, i cili dha dorëheqjen nga funksionet partiake e zyrtare, e kishte pretenduar Taulant Balla, por kryeministri Rama i bëri të ditur pak ditë më parë se ai s’mund të shkonte më shumë se kryetar i Grupit Parlamentar të PS. (Lexo më poshtë lajmin në zoom.al)

Nëse nuk do të ketë surpriza, Nikolla do të jetë gruaja e dytë që do të drejtojë Kuvendin dhe e para grua socialiste në atë detyrë. E para ishte Jozefina Topalli. Nikolla ka qenë bashkëpunëtore e ngushtë e Ramës si Ministre e Arsimit dhe si kryetare e njësisë bashkiake nr 1 kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Nikolla ishte në krye të ministrisë kur studentët shpërthyen për disa javë me radhë në protesta kundër reformës që ajo bëri në Arsimin e Lartë.

Edhe Mimi Kodheli ka qenë bashkëpuntore e ngushtë e Ramës në Bashkinë e Tiranës, si nënkryetare dhe në qeveri ku ajo ishte për një mandat ministre e Mbrojtjes.

Parlamenti mblidhet me 10 shtator, sipas dekretit të presidentit dhe po atë ditë do të zgjedhë edhe drejtuesin e tij.

JETËSHKRIMI I LINDITA NIKOLLËS (marrë nga wikipedia)

Lindita Nikolla lindi në Tiranë, më 22 tetor 1965.

Nikolla, në korrik 2010, ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës.

Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 – 2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007- 2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjed­hjet e 23 qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Nga shtatori i vitit 2007 znj. Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqë­si dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në qershor të vi­tit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Nikolla ka kryer gjithashtu një sërë kualifi­kimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në ven­dimmarrje.

Lindita Nikolla në vitin 2013 emërohet nga Kryeministri Edi Rama si Ministre e Arsimit dhe Sportit në kabinetin qeveritar Rama-Meta.

JETËSHKRIMI I MIMI KODHELIT (marrë nga wikipedia)

Mimi Kodheli ka lindur në Tiranë, më 11 shtator 1964. Kodheli është Doktorante e Shkencave Ekono­mike nga Universiteti i Veronës, Itali, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, prej vitit 2007. Ka një Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpun­im me Universitetin e Tiranës prej vitit 2000, si dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë në vitin 1986.

Mimi Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u bë Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2005, ajo u emërua Prefekte e Qarkut të Tiranës dhe në vitin 2009 u zgjodh Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, duke mbajtur pozicionin e Nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financës përgjatë gjithë legjislaturës. Që prej vitit 2007 e në vazhdim është Anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Ajo është trajnuar në fusha të ndryshme si ato të treg­jeve ndërkombëtare dhe të letrave me vlerë, tregjet e punës dhe të investimeve, trajnim për ndërmarrjet të vogla e të mesme, ekzaminim dhe menaxhim bankar. Ajo ka marrë pjesë në një program të Departamentit Amerikan të Shtetit, të titulluar “Gratë në Politikë” si dhe atë të titulluar “Politikat e Sigurisë Kom­bëtare” nga Qendra Evropiane e Sigurisë, Marshall.

Mimi Kodheli në vitin 2013 zgjidhet Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë.