zoom

Aktualitet

Falen të gjitha gjobat për shkeljet gjatë pandemisë. Efektet, pozitive apo negative?

Asnjë gjobë e vendosur gjatë pandemisë, nuk do të paguhet. Kush i ka paguar, do të marrë paratë mbrapsht. Qeveria vendosi t’i falë të gjitha; gjobat për individët që shkelën karantinën, lokalet që u hapën në kundërshtim me ligjin, makinat që qarkulluan pa autorizim, ata që bënë dasma kur nuk lejohej duke rrezikuar jetën e qytetarëve me përhapjen e covid…, pra gjithkujt që shkeli ligjet e rregullat do t’i falen dënimet që ka marrë.

Vendimi

  1. Falen të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, të vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse për shkeljen e rregullave apo të akteve ligjore e nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, nga data 17.4.2020 deri në datën 7.10.2020.
  2. Kthimi i shumës së detyrimit të falur, por të paguar, për masat administrative me gjobë, merret nga zëri përkatës i buxhetit të shtetit apo buxhetit të institucionit në të cilin është arkëtuar shuma, me urdhër të nëpunësit të parë autorizues, dhe kalohet në llogarinë bankare të subjektit përfitues ose, në mungesë të saj, kjo shumë i dërgohet institucionit shtetëror që ka vendosur masën me gjobë për t’ia dorëzuar subjektit përfitues.
  3. Të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë ushtruar autoritetin e vendosjes së masës administrative me gjobë, duhet të përgatisin listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 tetor 2020.
  4. Kthimi i shumave pranë llogarisë bankare të subjektit përfitues apo institucionit shtetëror që ka vendosur masën administrative me gjobë të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020.
  5. Mënyra dhe rregullat e hollësishme të kthimit të shumave të paguara përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
  6. Në rastin e gjobave të vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 2, të nenit 1, të këtij akti, të gjitha strukturat përkatëse duhet të dërgojnë listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative. Mënyra dhe rregullat e hollësishme për zbatimin e faljes dhe kthimin e shumave të paguara, sipas përcaktimeve të këtij akti normativ, përcaktohen nga këshilli bashkiak.

Kthimi i lejeve/licencave dhe i mjeteve të bllokuara, në zbatim të masave administrative

  1. Të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, përjashtuar ato të parashikuara në nenin 2, të këtij akti normativ, si lejet/licencat dhe mjetet e bllokuara, duhet të kthehen brenda datës 15 nëntor 2020 te subjekti përfitues.

Efektet, pozitive apo negative?

Për ata që u ndëshkuan gjatë pandemisë, sipas ligjit, vendimi i qeverisë është sigurisht i mirëpritur. Sot ata do të marrin mbrapsht të gjitha paratë që u detyruan të paguajnë për gjobat që institucionet shtetërore u vendosën me të drejtë për shkak se vepruan në kundërshtim me ligjin.

Por ky vendim ka edhe efekte negative, pasi ai nxit mos-respektimin e rregullave.

Gjithkush që i respektoi ligjet është potencialisht i prirur që në rast të vendosjes se rregullave të tjera, t’i shkelë ato, duke menduar se dikur ndëshkimet do të falen. /Zoom.al