zoom

In Zoom

Ajo që nuk u tha nga policia për aksidentin që mori 5 jetë në Qafë Muzinë

Policia e gjeti shkakun e aksidentit tragjik me 5 viktima, që ndodhi pasditen e të enjtes në Qafë Muzinë, në aksin Gjirokastër-Sarandë.

Vajza 22-vjeçare që drejtonte një Land Rover të bardhë që goditi furgonin e pasagjerëve kishte kryer një parakalim të gabuar. Nga goditja furgoni doli nga rruga dhe përfundoi poshtë saj duke rënë nga një lartësi prej disa metrash.
Ekspertiza e policisë përfundon këtu. Por arsyet se përse një përplasje mes dy makinave që ecnin një një rrugë plot kthesa që nuk lejojnë lëvizje me shpejtësi të madhe, shkojnë më thellë.
Po të shihen pamjet e ofruara nga mediat televizive dhe ato online (shih videot më poshtë në lajmet e Zoom.al) rruga nuk ka asnjë element sigurie. Në vendin ku ra furgoni me pasagjerë nuk ka mbrojtëse anësore prej hekuri apo betoni që pengojnë daljen e makinave nga rruga dhe parandalojnë në shumë raste fatalitetet.
Pikërisht në vendin ku u rrëzua furgoni ka një greminë të rrezikshme, e cila kërkon domosdoshmërisht elementë të tillë mbrojtës, të cilët mund ta kishin penguar rënien e mjetit poshtë.
Si në këtë vend, këtij segmenti i mungojnë të tillë elementë thuajse në gjithë gjatësinë e tij.
Policia rrugore, në përcaktimin e shkaqeve të aksidentit, duhet të kishte futur edhe këto elementë të rëndësishëm për sigurinë rrugore.
Ajo është në dijeni të këtyre rreziqeve që paraqet kjo rrugë, pasi i ka përcjellë ato edhe zyrtarisht pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe autoriteteve që merren me sigurinë rrugore. Por për shkak se përgjegjësia do t’u kishte kaluar edhe institucioneve, ajo ia faturoi përgjegjësinë vetëm drejtueses së Land Roverit. Dhe duke vepruar kështu, duke fshehur shkaqet e plota, vetë policia po fsheh rreziqet e kësaj rruge, e cila mund të marrë jetë të tjera njerëzish nëse nuk ndërhyhet për garantuar sigurinë e saj. /Zoom.al