Aplikacion
Në një intervistë për Fox News, Vance tha se shumë vende europiane “nuk janë në gjendje ose nuk duan të kontrollojnë kufijtë e tyre.”
“Nëse ke një vend si Gjermania, ku vijnë edhe disa milionë emigrantë nga vende që janë plotësisht të papërputhshme nga ana kulturoret me Gjermaninë, atëherë nuk ka rëndësi çfarë mendoj unë për Europën, sepse Gjermania do të ketë vrarë veten,” u shpreh ai.
Ai kritikoi gjithashtu shtetet europiane për kufizimin e lirisë së shprehjes së qytetarëve të tyre, “ndërkohë që këta qytetarë protestojnë kundër gjërave si pushtimi kufitar, i cili çoi në zgjedhjen e Donald Trump-it dhe një numri liderësh europianë.”
Nuk është hera e parë që JD Vance shpreh hapur përbuzjen e tij për elitat liberale europiane.
Vetëm një muaj më parë, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai tronditi liderët europianë me një fjalim tejet të sinqertë, ku foli për “kërcënimin e brendshëm, tërheqjen e Europës nga disa prej vlerave të saj më themelore.”
Ai përmendi anulimin e një procesi të tërë zgjedhor në Rumani, përpjekjet e Komisionit Europian për të censuruar lirinë e fjalës dhe vendimin e partive kryesore për të mbajtur një bllokadë ndaj partive populiste, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje.
“Besoj thellësisht se nuk ka siguri nëse ke frikë nga zërat, opinionet dhe ndërgjegjja që udhëheq vetë popullin tënd.”
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, zv/presidenti u takua me bashkëkryetaren e AfD-së së djathtë, Alice Weidel, një veprim që shkaktoi reagime të ashpra nga partitë e establishmentit.
Sa u përket politikave të administratës së tij, JD Vance deklaroi se nën udhëheqjen e Donald Trump-it, ata kanë përmbysur politikat pro-emigracionit të paraardhësit të Trump, Joe Biden, dhe “pothuajse kemi arritur sigurinë e plotë kufitare.”
“Kishe vende ku bëheshin 1500 kalime të paligjshme në ditë. Tani janë vetëm 30 kalime të paligjshme në ditë. Kemi ulur kalimet e paligjshme me mbi 95 për qind. Dhe sinqerisht, mendoj se këto shifra do të vazhdojnë të bien,” tha ai. / European Conservative