zoom

Aktualitet

Skandalet e kompanive të Nadir Çaushollit! Si “CFO Pharma” që u qëllua me breshëri plumbash dhe “Green Line” u përjashtuan nga tenderat pas mashtrimeve

“CFO Pharma” ra pre e një sulmi me armë mëngjesin e sotëm, pasi persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të fasadës prej xhami.

Biznesi i Nadir Çaushollit u qëllua me të paktën 20 plumba nga një makinë në lëvizje rreth orës 02:00, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë.

Por kjo nuk është hera e parë që “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit vihet në qendër të vëmendjes mediatike; ajo është e përfshirë në skandale së bashku me kompaninë “Green Line” në pronësi të të njëjtit biznesmen.

Në korrik 2024, kompania “CFO Pharma” u skualifikua nga tenderat me 6 muaj. Kjo shkelje u konfirmua nga “Albpetrol” dhe më pas nga Komisioni i Prokurimit Publik (KPP).

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ndaloi kompaninë farmaceutike “CFO Pharma” të merrte pjesë në tendera shtetërorë për shkak të keqinformimit të institucioneve kontraktuese në dy procedura.

Më 8 Korrik 2024, Agjencia e Prokurimit Publik miratoi vendimin nr. 65, në bazë të të cilit “ka vendosur të përjashtojë për 6 muaj operatorin ekonomik CFO Pharma, nga e drejta për të fituar kontrata publike”. Kjo s’ishte hera e parë që “CFO Pharma”, në pronësi të Nadir Çaushollit, përfshihej në penalitete.

Nadir Çausholli u arrestua disa vite më parë si një prej personave të dyshuar për përfshirje në skemë mashtruese me ilaçet e rimbursueshme. Por pasi mbylli problemet përmes vendimeve të dyshimta gjyqësore, pronari i “CFO Pharma” u rikthye sërish në treg. Pavarësisht pasaportës së dyshimtë tregtare, të dhënat publike dëshmojnë se “CFO Pharma” ka fituar më së paku rreth 29 milionë euro nga tenderat publikë gjatë periudhës 2019-2024.

Gjithashtu më 26 Dhjetor 2024, kompania e autobusëve “Green Line”, po për shkak të mashtrimit, u përjashtua nga gara për një tender.

Vendimi u mor nga Agjencia e Prokurorimit Publik (APP), e cila ndaloi kompaninë “Green Line” të Nadir Çaushollit të merrte pjesë në tendera për 6 muaj, pasi “ka keqinformuar autoritetet për qëllime kualifikimi”.

Shkelja u kap pas tenderit që shpalli kompania “Albpetrol”, për shërbime transporti, me një fond limit prej 12.9 milionë lekësh.

Pjesë e garës u bënë “Green Line” dhe një kompani tjetër. Por sipas nenit 76 të ligjit “Për prokurimet publike”, një operator ekonomik skualifikohet nga tenderat nëse drejtuesit ose aksionarët e tij janë të përfshirë në një kompani tjetër të përjashtuar.

*******

Shkeljet e Nadirit me “CFO Pharma” dhe përjashtimi nga tenderat

APP thotë se ka nisur hetimin administrativ, bazuar në informacionin e përcjellë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Operatori “CFO Pharma” ishte gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të rënda, në vlerën 200 mijë lekë të reja. Këtë fakt, kompania e Çaushollit e ka fshehur gjatë pjesëmarrjes në dy tendera të zhvilluara nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë dhe nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Has.

Sipas APP-së, kompania e Çaushollit e ka fshehur penalitetin, me qëllim keqinformimin e autoriteteve tenderuese. Ligji për Prokurimit Publik parashikon që kompanitë e gjobitura për shkelje të ligjit të punësimit përjashtohen nga tenderat publikë.

Vendimi i APP-së për përjashtimin e “CFO Pharma” nga tenderat publikë
Por, siç rezulton në procedurën e zhvilluar nga APP, Çausholli dhe kompania e tij kanë fshehur këtë fakt, duke u shpallur fitues në dy procedurat e mësipërme, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Kjo shkelje procedurash i kushton rëndë shoqërisë “CFO Pharma”, e cila tashmë do të duhet të qëndrojë plot 6 muaj si “spektator” në tenderat publikë.

Tenderat

Procedura e parë është zhvilluar nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, me objekt “Blerje medikamente”, mbyllur në 30 janar 2024. Fondi limit për këtë procedurë ishte parashikuar në shumën 1.965.307 lekë të reja.

Tenderi i zhvilluar nga spitali “Ali Mihali”, Vlorë

Të dhënat zyrtare tregojnë se ky tender është shënuar “me flamur të kuq”, për shkak se nuk ka pasur konkurencë. Kompania e vetme në garë ishte “CFO Pharma”, e cila ka fituar kontratën me ofertën 1.892.301 lekë të reja.

Procedura tjetër është zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Has, me objekt “Blerje materiale mjekimi konsumi dhe kirurgjikale per nevoja spitalore”.

Procedura është mbyllur në 17 janar 2024 dhe fondi limit për këtë tender ishte 700.000 lekë të reja.

Tenderi i zhvilluar nga Drejtoria e Shëndetit, Has

Nga shqyrtimi i dosjes së tenderit, rezulton se në garë kanë marrë pjesë 3 operatorë ekonomikë. Dy prej tyre, “Trimed” dhe “Aquarius Medical” janë përjashtuar nga gara, megjithëse kanë dhënë oferta më të ulta se sa “CFO” e Nadir Çaushollit.

Por, pas përjashtimit të tyre, në garë mbeti vetëm “CFO”, e cila u shpall fituese me ofertën më të lartë, në shumën 696.115 lekë të reja ose me 99.5 përqind të fondit limit.

 

Postime të lidhura