Aplikacion
Disa nga familjet e të rinjve që ndodheshin në diskotekën “Pulse” po postojnë foto të të afërmeve të tyre dhe numrat e celularëve, në mënyrë që nëse dikush i sheh, t’i informojë se ku ndodhen dhe nëse janë shtruar në spital.
Nuk dihet saktë numri i të plagosurve, por mediat raportojnë se bëhet fjalë për të paktën 100 të lënduar, një pjese prej të cilëve po marrin mjekim në Shkup.
Këtë mëngjes, shumë njerëz shkuan në vendin e ngjarjes. Disa në kërkim të familjarëve të tyre, pasi nuk e dinë nëse janë gjallë apo të vdekur.
Ministri i Brendshëm, Pance Toshkovski deklaroi se zjarri filloi kur u aktivizuan fishekzjarret rreth orës 2:30 të mëngjesit dhe flakët shpërthyen në të gjithë lokalin.
Siç tregon ai, shkëndijat goditën tavanin, i cili ishte bërë prej një materiali shumë të ndjeshëm nga nxehtësia. Sipas tij, tymi i dendur i mbyti disa nga viktimat, si dhe dogji të tjerë.
Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar në ndihmë me dhjetëra ambulanca nga Shkupi, ndërkohë që u aktivizua për ndihmë edhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme./ Zoom.al