Aplikacion
Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup. Autoritetet ende nuk kanë një reagim zyrtar se çfarë e ka shkaktuar zjarrin.
Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga banda muzikore maqedonase DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.
Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca dhe zyrtarët policorë.
Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, pasi nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë,”- ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
Autoritetet kanë thënë se do të deklarohen më vonë gjatë ditës.