zoom

Bota

Studentët “paralizojnë” Beogradin për protestën/ Pezullohet transporti publik, mijëra policë në gatishmëri

Sot do të protestohet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, me kërkesë të studentëve, të cilët kanë bllokuar universitetet në këtë shtet që tre muaj e gjysmë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 15 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protesta në Beograd është organizuar pas marsheve masive që janë organizuar nga studentët në Novi Sad, Kragujevc dhe Nish.

Mijëra studentë kanë mbërritur në Beograd në mbrëmjen e së premtes, pas një rruge të gjatë që kanë bërë prej rajoneve të ndryshme të Serbisë.

Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.

Pezullohet transporti publik në Beograd

Të gjitha mjetet transportuese të kompanisë së transportit të qytetit të Beogradit janë tërhequr nëpër garazhet e tyre prej mëngjesit të së shtunës, dhe nuk do të operojnë gjatë ditës.

Përveç tyre edhe linjat private të transportit nuk janë duke operuar prej pasdites të së premtes.

Numër i madh i forcave policore në qendër të Beogradit

Një gazetar i Radios Evropa e Lirë raporton se një numër i madh i forcave policore dhe xhandarmërisë janë angazhuar në qendër të Beogradit, para nisjes së protestës së thirrur nga studentët.

Traktorët në Sheshin e Studentit

Traktorët vazhdojnë të jenë të parkuar në Sheshin e Studentit, njërën prej pesë pikave në të cilat do të mblidhen studentët.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë kuptuar se shoferët janë nisur me traktorët e tyre prej shumë pjesëve të Serbisë: Bogatiqit, Shabacit dhe Obrenovacit./ REL

Postime të lidhura