Aplikacion
Ajo u qëllua me plumb në kokë nga burri me të cilin bashkëjetonte.
Autori Kol Manaj, 10 vite më i ri se ajo, po me plumb në kokë i dha fund jetës. Për policinë e Shkodrës, ky është një krim pasioni me motiv xhelozinë, pasi deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë indicie për konflikte të tjera në çift.
Ngjarja u shënua rreth orës 11:15 në lagjen “Mark Lula” ose siç njihet ndryshe tek ish-fusha e druve në Shkodër. Çifti u gjet brenda makinës Volkswagen Touran, në pronësi të gruas së plagosur. Në brendësi të makinës, policia gjeti pistoletën me të cilën 34-vjecari, Kol Manaj qëlloi partneren e tij, e më pas veten. Policia tha se 34-vjeçari humbur jetën në vend, ndërsa 44-vjeçarja u trasportua në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, me plagë në kokë.
Burimet thanë se Anila Ndoka, punonjëse sociale në një OJF, i kishte dhënë fund martesës disa vite më parë. Ajo ka tre fëmijë nga martesa e parë, njëri prej tyre jeton me të, ndërsa dy të tjerët me ish-bashkëshortin. Prej 4 vitesh bashkëjetonte me burrin që sot tentoi t’i marrë jetën. Partneri i saj, Kol Manaj, ndërkohë ishte i papunë, por nuk kishte sjellje problematike.
Së fundmi, thanë burimet ajo ka tentuar t’i japë fund bashkëjetesës, ç’ka mendohet se ka revoltuar Manajn. Edhe në rrjetet sociale, 34-vjecari kishte postuar foto me Ndokën shoqëruar me dedikim dashurie. Ndër to, veçohet: “Nëse e do fort mos hiq dorë dhe mos u lësho për asnjë lloj arsye në botë!”.
“Rreth orës 11:15, në lagjen “Mark Lula”, janë gjetur në një automjet, shtetasi Kole Manaj, 34 vjeç dhe shtetasja Anila Prenushi me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Shtetasi Kole Manaj ka humbur jetën, ndërsa shtetasja Anila Prenushi është dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë. Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë” informoi sot policia e Shkodrës.
Nën masë nga Spak në dosjen Veliaj/ Biznesmeni Gentian Sula merr masa për kompaninë e tij