zoom

Ekonomi

Shqipëria merr 650 milionë euro borxh, do t’i shlyejë për 10 vite

Shqipëria mori këtë të premte 650 milionë euro borxh në tregjet e huaja.

Eurobondi u emetua pas procedurës së nisur më 11 shkurt, ku disa investitorë të huaj morën pjesë dhe shprehën interes për financim.

Qeveria shqiptare duhet ta kthejë borxhin deri në vitin 2035. Norma e interesit të eurobondit është 5%.

“Suksesi i këtij emetimi i referohet disa aspekteve të rëndësishme dhe në radhë të parë kërkesës shumë të lartë të investitorëve, duke bërë të mundur një ulje të konsiderueshme të normës së interesit (yeild-it) përgjatë tregtimit me 50 pikë bazë, nga norma fillestare prej 5.5%”, tha Ministria e Financave.

Kjo është hera e shtatë që Shqipëria merr eurobond, që kryesisht përdoret për nevojat e qeverisë, për financimin e borxheve të kaluara dhe për mbështetje buxhetore.