zoom

Aktualitet

“Ministri i Brendshëm gënjeu për mbledhjen e militantëve te GJKKO”, Bardhi: Të shkarkohet menjëherë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në Facebook pas letrës së dërguar nga SPAK dhe GJKKO drejt Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme.

Në lidhje me mosveprimet nga dy institucionet gjatë protestës në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliaj, bardhi tha se ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen nga detyra dhe të ndiqen penalisht.

Postimi i plotë:

Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.

Erion Veliaj nuk është mbi ligjin. Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për ti ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit.

Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.

Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.

E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE!

Postime të lidhura