zoom

Aktualitet

Rastet me meningit në Durrës, prindërit refuzojnë të dërgojnë fëmijët në shkollë

Prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjeçare “Eftali Koçi” dhe “Kushtrimi i lirisë” në Durrës refuzojnë prej dy ditësh të dërgojnë fëmijët në shkollë.

Rasti i diagnostikuar me meningit tek një nxënës 14-vjeçar ka alarmuar së tepërmi prindërit, të cilët kërkojnë nga institucionet dezinfektimin e shkollës, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani. Në shkollën “Eftali Koçi” zhvillojnë procesin mësimor nxënësit e dy shkollave, për këtë arsye alarmi i përhapur mes prindërve është edhe më i madh.

Prindërit pohojnë se janë të vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë për shkak të rrezikshmërisë që paraqet sëmundja e meningitit dhe nuk ndihen të sigurt vetëm me masat profilaktike, që janë rekomanduar nga epidemiologët e Kujdesit Parësor.

Ndryshe nga sa ndodhi muaj më parë, kur gjimnazi “Leonik Tomeo” u dezinfektua pas diagnostikimit të një 17-vjeçareje me meningit akut, në rastin e pak ditëve më parë nuk është zbatuar e njëjta procedurë. Ndërkohë, burime nga institucionet shëndetësore vendore pohojnë se nuk ka vend për panik dhe nuk ka raste të reja të identifikuara.

Postime të lidhura