Aplikacion
Që nga momenti i arrestimit të Erion Veliajt në zyrën e tij, në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama ka shpërthyer e turfulluar kundër SPAK, me një sulm të paprecedent dhe reagime të pakontrolluara, të cilat nuk janë parë në raste të ngjashme, si për shembull kur u arrestua po në detyrë dhe po në zyrë kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, edhe ai një i zgjedhur nga PS.
Kjo sjellje ka përçuar te një pjesë e madhe e opinionit publik idenë se Rama vërtet është indinjuar nga vendimi i SPAK, por po ashtu edhe është frikësuar për disa arsye: goditja e “Lali Erit” mund të ndikojë në elektorat dhe mund të humbasë pushtetin; SPAK mund të mos ndalet dhe mund të godasë edhe bashkëpunëtorë të tjerë të tij ose atë vetë.
Retorika e kryeministrit Rama këto ditë ka qenë e mbushur me tone dramatike dhe akuza të ashpra ndaj Prokurorisë së Posaçme, ndaj prokurorit dhe gjyqtarit që përpiluan dosjen dhe morën vendimin e arrestit, duke hedhur insinuata të tilla se ata janë “të djathtë” dhe duan “të shkrijnë” të majtën.
Nën frikën se ndërkombëtarët dhe vetë opinioni publik do të reagojnë kundër tij, Edi Rama thotë se retorika kundër SPAK nuk përbën sulme, por kritika. Por kjo është si të hedhësh gurin e të fshehësh dorën ditën për diell. E vërteta është se ai nuk ka mundur t’i bindë të gjithë për qëllimin që ka.
Sjellja e tij vazhdon të ngjallë dyshime nëse po aktron për të ruajtur imazhin e tij pasi mund të ketë qënë dakord për “eliminimin politik” të Erion Veliajt, apo nëse po tenton të ushtrojë presion mbi Apelin e GJKKO-së që të lirojë Veliajn, pasi dështoi në shkallën e parë të GJKKO një ditë më parë.
Një skenar i tillë, që Apeli ta lirojë Veliajn, do t’i jepte Ramës mundësinë të shfaqej si triumfues në një betejë të drejpërdrejtë me organin më të pushtetshëm të drejtësisë, ndonëse dyshimet se gjithçka mund të jetë orkestruar nga ai vetë do të mbeten gjatë.
Për disa, Edi Rama duket i bindur se nuk mund të lejojë më që një pushtet tjetër, si SPAK, të marrë kontrollin e plotë të situatës në vend dhe të vendosë edhe për balancat politike. Arrestimi i Veliajt mund të shihet nga Rama si një kërcënim i drejtpërdrejtë për të dhe pushtetin e tij, ndaj dhe përfshirja në një betejë agresive komunikimi publik kundër SPAK mund të jetë e vërtetë.
Por për disa të tjerë, Edi Rama qëndron pas gjithë kësaj dhe është ai orkestruesi i arrestimit të Veliajt. Retorika, turfullimi, sulmet kundër drejtësisë, sipas mbështetësve të këtij skenari, janë një perde që i shërben për t’u fshehur. Po sipas këtij grupimi, Rama po lufton fort që t’i bëjë presion Apelit të GJKKO që ta lirojë Veliajn për të dalë triumfues si shpëtimtari i tij dhe për t’i dhënë vetë Veliajt një leksion mbi pushtetin real në Shqipëri.
Edi Rama e ka treguar qartë dhe me vepra se mbi pushtetin e tij ai nuk vë askënd dhe është gati të sakrifikojë gjithkënd. Ai s’ka qenë asnjëherë i shqetësuar për kumbullat, mollët e dardhët që i kanë ngrënë pas shpine, por është kujdesur vetëm që ato të mos i dëmtojnë hambarin e zahireve që e mbajnë në pushtet. /Zoom.al