Aplikacion
Të dhënat zyrtare të INSTAT që u publikuan sot tregojnë se gjatë vitit 2024 në vendin tonë kanë lindur vetëm 22,425 bebe ose 5 për qind më pak se vitin 2023. Rënia e lindjeve u thellua më tej në vitin e kaluar në raport me vitin 2023 kur lindjet ranë me 4.3%.
Më 2024, në të gjithë vendin, kanë lindur vetëm 22,425 foshnja, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore.
Të dhënat tregojnë se edhe në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri kanë lindur më shumë se sa sot. P.sh., në vitin 1942 lindën mbi 36 mijë foshnja në një kohë kur numri i grave në moshë riprodhimi ishte më i ulë se sot.
Në vitin 1950, kur u vendos regjimi i diktaturës komuniste, lindën 47,291 foshnja, sipas të dhënave nga arkivat e INSTAT, teksa numri i grave në moshë riprodhimi (15-49 vjeç) ishte vetëm 259,472 mijë.
Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 22 mijë foshnja, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ishte gati dy herë më i lartë se në vitet 1950.
Demografët dhe sociologët janë të shqetësuar se lindjet në Shqipëri kanë rënë përtej të gjitha parashikimeve.
Ekspertët pohojnë se, politika është shumë e vonuar për të zbatuar një grup masash, të cilat duhet të kenë në fokus frenimin e emigracionit dhe evidentimin e mjeteve që mund të ndihmojnë çiftet e reja të lindin fëmijë.
Ata sugjerojnë ndërhyrje që të përmirësojnë gjendjen ekonomike të familjeve të reja. Dermografët pohojnë se duhet një ekzaminim i detajuar i nevojave të familjeve të reja sipas rajoneve dhe më pas të hartohet një paketë politikash që t’i ndihmojnë ato në kostot për të rritur fëmijët.
Me gjithë ndryshimet ekonomike dhe sociale, shoqëria shqiptare ruan ende vlerat e traditës dhe familjes. Gratë shqiptare duan ende të lindin fëmijë më shumë se sa kanë.
Para gjashtë vitesh, gratë u pyetën se sa ishte numri ideal i fëmijëve që do të donin të lindnin gjatë jetës së tyre. Rezultatet treguan se 100 gra donin të sillnin në jetë së paku 250 fëmijë, një shifër kjo më e lartë se norma e zëvendësimit të prindërve që garanton rritjen natyrore të popullsisë.
Në të vërtetë, këto gra lindën shumë më pak fëmijë se sa dëshironin në idealen e tyre. Gjashtë vite më vonë nga anketa, 100 gra në moshë riprodhimi lindën vetëm 121 fëmijë, as gjysmën e asaj që e konsideronin si ideale më 2018.
Praktikat e vendeve të tjera, që kanë përjetuar rënien normave të fertilitetit para nesh, tregojnë se mjeti më efektiv ishte mbështetja e familjeve të reja të martuara.
Në vitin 2003, Spanja mori një reformë për rritjen e lindjeve në të cilën nënat me fëmijë deri në tre vjeç që punonin përjashtoheshin nga tatimi mbi të ardhurat personale. Lehtësitë tatimore zgjeroheshin me nënat që lindnin më shumë fëmijë. Gjithashtu një bonus bebesh prej 2500 eurosh jepej për çdo lindje./Monitor
Krisa i tregon Elgit “skemën” e Gjestit: I rrëfen detajin që i kishte shpëtuar gjatë Prime-t