zoom

Aktualitet

Arrestimi i Erion Veliajt/ Reagon BE: Mos ushtroni presion të padrejtë mbi SPAK

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë reagoi për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe retorikën politike të përdorur gjatë ditëve të fundit në drejtim të institucioneve të drejtësisë.

Duke nënvizuar se nuk komenton proceset gjyqësore, BE tërheq vëmendjen për presionin e ushtruar ndaj SPAK dhe për përpjekjet për ndërhyrje politike.

Bashkimi Evropian garanton mbështetje për për organet e reja të drejtësisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Reagimi i BE:

Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim.

Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.

Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Postime të lidhura