zoom

Lajme

Ligji për Akademinë e Shkencave, Zhupa: GJK refuzoi t’i jepte kushtetutshmëri

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese në ndarje të barabartë votash nuk e shpalli dot në përputhje me kushtetutën ligjin për Akademinë e Shkencave.

Kryetarja e Komisionit të Edukimit reagoi duke kërkuar rikthimin e ligjit në gjendjen e mëparshme nga mazhoranca ose do të jetë Partia Demokratike që do na ndryshoj atë sapo të marr drejtimin e vendit.

Ajo shprehet se: “Gjykata nuk votoi dot si kushtetues dhe në përputhje me rregulloren e kuvendit këtë ligj, duke treguar qartësisht që opozita kishte të drejtë.

Gjykata Kushtetuese ka delegjitimuar zgjedhjen e kryesisë, kryetarit dhe nënkryetarit Gjinushi dhe Tole. Jane produktet e një puci parlamentar që edhe gjykata kushtetuese nuk e mohoi dot se ka ndodhur.”

Zhupa i bën thirrje edhe akademikëve që të kërkojnë dorëheqjen e Gjinushi dhe Tole, teksa shtoi “ të mos i bindet më vendimeve dhe urdhërave të një kryesie ku kryetari dhe nënkryetari nuk kanë marr legjitimitet kushtetues”.

Deklarata e plotë:

Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 10.02.2025 refuzoi ta pranonte si në përputhje me kushtetutën ligjin që shpalli të përjetshëm Skënder Gjinushin, ish ministrit të diktaturës në krye të Akademisë.

Gjykata nuk votoi dot si kushtetues dhe në përputhje me rregulloren e kuvendit këtë ligj, duke treguar qartësisht që opozita kishte të drejtë.

Gjykata Kushtetuese ka delegjitimuar zgjedhjen e kryesisë, kryetarit dhe nënkryetarit Gjinushi dhe Tole. Jane produktet e një puci parlamentar që edhe gjykata kushtetuese nuk e mohoi dot se ka ndodhur.

Trupa gjyqësore nuk mundi të bënte më shumë nën presionin politik, por e la te palegjitimuar këtë ligj me porosi pa asnjë interes publik dhe në shkelje të kushtetës.

Ky është një turp për pucistët e kuvendit, për mazhorancën, për Petro Kocin dhe Ismet Beqirajn dhe për rekordet e parlamentarizmit.

Një mazhorancë serioze duhet ta rikthente ligjin në gjendjen e mëparshme pa ndryshimet e porositura, por ju mungon kurajo. Pas zgjedhjeve, shumica e udhëhequr nga PD, do i zhbëj menjëherë ndryshime antikushtetuese të ligjit të Akademisë së Shkencave.

Skënder Gjinushi dhe Vasil Tole duhet të japin dorëheqjen se nuk mund të drejtojnë më Akademinë e Shkencave kur janë të palegjitimuar dhe produktet e një puci dhe këtë as gjykata kushtetuese nuk e kundërshtoi.

Uroj shumë që trupa e akademikëve dhe kërkuesve shkencor të mos i bindet më vendimeve dhe urdhërave të një kryesie ku kryetari dhe nënkryetari nuk kanë marr legjitimitet kushtetues.