zoom

Aktualitet

Flet Veliaj: Unë i flisja prokurorit, ai më tregonte si i kishte rënë violinës i vogël

Kryebashkiaku i arrestuar, Erion Veliaj, reagoi sërish nga qelia e paraburgimit ku ndodhet prej mesditës së djeshme.

Veliaj përshkroi natën e tij të parë në qeli, duke shtuar edhe akuzat për prokurorin e çështjes, Olsian Dado.

Sipas Veliajt, ai është pervers sepse e pyeste për fustanet e Ajola Xoxës.

Erion Veliaj pretendon se Ajola nuk ka bërë shpenzime marramendëse për veshje dhe bizhuteri. Sipas tij, të gjitha shpenzimet për blerje online janë deklaruar, duke mohuar sërish akuzat për korrupsion.

Reagimi i plotë:

Të dashur miq,

Natën e parë në qeli, i marrë forcërisht larg familjes dhe me idenë që sot në mëngjes im bir nuk do të shkonte në shkollë as me mua, as me të ëmën, e kam kaluar pa gjumë në sy. I vetmi ngushëllim ishte që nuk mund të shihja dhe as dëgjoja qenërinë, që me siguri më është vërsulur mbrëmë në studiot e kafshimeve dhe jargëve televizive.

Ndjesë për çfarë ju kanë dëgjuar veshët dje deri vonë dhe sot që në sabah në ato kanale gjirizi. Por, dua të jini të sigurt se historia që po më tregon mua si një kriminel të korruptuar, i cili ka fshehur pasuri dhe pastruar para bashkë me të shoqen, është e sajuar nga një individ pervers, prokurori i çështjes tonë.

Ai, për shembull, ka shkruar në akt-akuzën haluçinante se ime shoqe ka harxhuar mbi gjysëm milionë euro për blerje online fustanësh dhe bizhuterish. Ky pervers, që më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e mia dhe të sime shoqeje. Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal.

Kur i thosha se kjo ishte e vërteta dhe kur në fakt, në shtëpinë tonë nuk ka gjetur as fustane mijëra eurosh, as bizhuteri me ndonjë vlerë të veçantë, ai zvarranik si i dalë nga qenefët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit zgërdhihej dhe më tregonte se si i binte violinës kur ishte i vogël.

A ju duket rastësi që në të gjithë historinë e gojës së kërmës Sali, ky violinist i mbetur në tentativë është i vetmi individ që pasi e ka akuzuar si kriminel një ditë më parë, Saliu i ka kërkuar falje të nesërmen? Mua jo, se që të të kërkojë falje Saliu, do duhet realisht t’i bësh një shërbim të pamundur. Po kjo s’është akuzë, është vetëm një opinion.

Kalofshi mirë sot miq dhe kujt më beson i jam falenderues, kujt s’më beson i jam mirëkuptues.

Postime të lidhura