Aplikacion
Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shënon goditjen më të madhe të SPAK që nga krijimi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndryshe nga figurat e tjera politike që janë përballur me drejtësinë, Veliaj është zyrtari më i lartë i arrestuar në detyrë, duke e bërë këtë një rast unik në historinë e politikës dhe drejtësisë shqiptare.
Deri më tani, të gjithë zyrtarët dhe politikanët e rëndësishëm që kanë rënë në rrjetën e SPAK-ut nuk kanë qenë në poste shtetërore aktive në momentin e arrestimit.
• Sali Berisha ndodhej jashtë ekzekutivit kur iu komunikua masa e sigurisë, fillimisht me detyrim paraqitje e më pas me arrest në shtëpi.
• Ilir Meta nuk mbante më asnjë funksion shtetëror kur u arrestua nga Operacionalja e policisë në makinën e tij, teksa po hynte në Tiranë pas një udhëtimi në Kosovë.
• Arben Ahmetaj ishte jashtë qeverisë dhe i shkarkuar nga të gjitha pozicionet publike kur SPAK lëshoi urdhër – arrestin ndaj tij.
• Lefter Koka ishte një ish-ministër pa post kur u arrestua.
Në rastin e Erion Veliajt, arrestimi i tij shënon rastin e parë që një zyrtar dhe politikan i këtij niveli i zgjedhur me votë, përfundon prapa hekurave teksa është ende në detyrë.
Ka pasur edhe arrestime të kryebashkiakëve të tjerë në detyrë, por asnjëri prej tyre nuk e ka pasur peshën politike të Erion Veliajt, jo vetëm për shkak se ai drejton bashkinë më të madhe dhe më të rëndësishme në vend, por edhe për arsye se Veliaj ishte një figurë qëndrore në Partinë Socialiste, që shumica e shihnin si pasardhës të Edi Ramës.
Veliaj nuk është thjesht një kryebashkiak, por një figurë kyçe në PS dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama. Ai e ka dominuar skenën politike të Tiranës me 3 fitore radhazi dhe pa asnjë kundërshtar real për vite me radhë.
Deri më tani, SPAK kishte shmangur arrestimin e figurave që kishin ndikim të drejtpërdrejtë në pushtetin ekzekutiv. Arrestimi thyen një rreth vicioz ku njerëzit e pushtetshëm dukeshin të paprekshëm. Deri tani, shumëkush e kishte parë SPAK-un si një strukturë që godiste vetëm zyrtarët e dalë nga sistemi, që nuk përbënin rrezik për pushtetin dhe që shpalleshin “të padëshirueshëm” nga Edi Rama. Arrestimi i Veliajt e përmbys këtë perceptim dhe nëpërmjet tij SPAK dha sot një mesazh që i ka tundur fort themelet e politikës shqiptare.
Me zgjedhjet e 11 majit në horizont, arrestimi i Veliajt prite të krijojë një kosto të madhe për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, i cili e ka mbrojtur publikisht Erion Veliajn pas ngritjes së akuzave nga SPAK dhe kontrolleve në banesë.
Edi Rama mund ta “shesë” edhe publikisht tashmë Veliajn, siç ka bërë më parë me Saimir Tahirin e të tjerë zyrtarë të akuzuar nga SPAK, duke u kërkuar që të mos e përdorin Partinë Socialiste si ombrellë dhe të përballen të vetëm me drejtësinë. Por ai nuk do të mund t’u thotë më qytetarëve të Tiranës se në 3 mandate është punuar për të mirën e tyre.
Gjithësesi një gjë është e sigurt, që politika shqiptare nuk do të jetë më njësoj pas këtij arrestimi.