Aplikacion
Kosova i përsëriti leksionin përsëri vendit amë, në lidhje me një proces zgjedhor të mirë-organizuar, fushatë elektorale klasike ku kandidatët shpalosën alternativat e tyre politike dhe mbi të gjitha proces numërimi të shpejtë dhe të pakontestueshëm.
Disa gjëra që të bëjnë përshtypje qysh në vështrimin e parë, nga vota e mirëadministruar në selitë e ambasadave të Republikës së Kosovës që bëhej për herë të parë dhe kaloi 70 përqindshin e pjesmarrjes, deri te procesi i verifikimit në komisionet zgjedhore ku binin në sy veç tre persona dhe jo një dyzinë si këtu te ne. Pra në thelb kemi të bëjmë me një proces të bazuar në besim që bën që edhe procesi i verifikimit të votuesve dhe mandej numërimit dhe shpalljes së rezultateve të kalojë pa kontestime të forta apo nota jo-kaluese nga institucione ndërkombëtare si OSBE-ODIHR. Kjo përforcohet akoma më tej po të merret parasysh jo vetëm sistem proporcional melista të hapura por edhe votimi preferencial me përzgjedhje të disa kandidatëve që normalisht duhet ta kishte vështirësuar disafish numërimin në krahasim me Shqipërinë, por në fakt ndodh krejt e kundërta.
Natyrisht në këtë proces zgjedhor që përgjithësisht shkoi mirë dhe pa eksese, pati dhe ndonjë kontestim si fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese sic u shpreh OJF-ja lokale Demokracia në Veprim, apo dyshimet për keqpërdorim të votës të diasporës në Kroaci, por këto janë shumë pak për të deligjitimuar një proces që është edhe meritë e autoriteteve qëndrore por edhe opozitës në Kosovë që ndërtuan një fushatë por edhe ditë zgjedhjesh brenda cakut të normalitetit demokratik.
Ngjashmëritë dhe ndryshimet me vëndin amë shtrihen dhe në rrafshe të tjera, ku për shembull vihet re një numër i lartë kandidatësh për deputetë njëjtë si te ne por rreth një e treta e numrit të partive që marrin pjesë në zgjedhje parlamentare krahasuar me Shqipërinë. Gjithashtu kandidatët, njëjtë si këtu, refuzuan të dilnin në debate televizive përballë njëri-tjetrit, madje edhe partitë opozitare që pritshërinë paszgjedhore e kanë për koalicion të përbashkët nëse duan të kryejnë rotacion pushteti. Gjithashtu çështja e koalicionit vështirësohet nëse merret parasysh deklarata parazgjedhore e Abdixhikut që nuk merr pjesë në asnjë qeveri ku nuk është kryeministër, duke treguar një kryeneçësi të pakuptimtë parazgjedhore që në vend që përvec se mobilizon elektoratin e LDK-së, nuk është se sjell më afër shanset për një rotacion të mbrothtë.
Këto zgjedhje panë dhe ndërhyrjen me të paktën dy “cicërima” nga Grennel i cili shigjetoi ashpër Kurtin duke e quajtur problematik jo vetëm për administratën Tramp por edhe atë Bajden më parë. Një prej statuesevetë tij u nda në rrjet dhe nga djali i presidentit Tramp duke përforcuar mesazhin ndërkohë që lobi serb në SHBA po lobon fort që ish-governatori i Ilinoisit, i dënuar më parë me 8 vjet burgm për korrupsion dhe me origjinë serbe Rod Blagojeviç, të jetë ambasadori i ri amerikan në Beograd që zëvendëson Kris Hill-in. Pra kemi të bëjmë me konjuktura të reja të cilat kërkojnë dhe madje imponojnë realitete kokëforta të cilave duket se dhe vetë Kurti po kërkon t’iu përshtatet megjithë vështirësitë. Kjo u vu re dhe nga deklarata e tij e para pak ditëve ku tha që në përpjekje për të forcuar ushtrinë, ishte dhe nisja e tratativave për të blerë helikopterët e famshëm Black Hawk, në përpjekje për të folur gjuhën e biznesit me presidentin e ri të SHBA-ve që përvec natyrës së fortë transaksionale në marrëdhënie me partnerët ka pikërisht si bazë të filozofisë së tij qeverisëse interesin amerikan të parin.
Rezultati zgjedhor mund të sjellë vijimin e qeverisë Kurti nëse përkundër pritshmërive të sondazheve parazgjedhore, del në kufijtë e sipërm të 40 përqindëshit, duke u bazuar mandej te ndonjë koalicion i mundshëm me Nismën, partitë minoritare jo-serbe dhe ndoshta AAK-në e Haradinajt por që do të ballafaqohet me kritika të forta qysh në start. Ndonëse shanset që kjo të ndodhë janë inferiore në raport me skenarin e kundërt. Nëse gjithsesi ndodh, mungesa e progresit në politikat ekonomike dhe ato publike, ndërprerja e fondeve si pasojë e masave/sanksioneve nga BE-ja (të paktën deri sa u miratuan ato të fondit të rritjes), mungesa e projekteve infrastrukturore, politikat shpesh populiste që kanë prodhuar një ngërc ekonomik (ndonëse parametrat si përqindja e borxhit dhe deficitit në raport me PBB-në janë më mirë se në vendet e tjera të rajonit), mund të prodhojnë një ngërç. Gjithashtu mungesa e progresit në politikën e jashtme me njohje të reja për Kosovën, antarësime në organizata ndërkombëtare që kanë qenë të munguara deri tani dhe gjuha shpesh acide e Kurtit ndaj partnerëve, mund të rezultojnë në një mandat të dytë të vështirë.
Nga ana tjetër, koalicioni PDK-LDK-AAK dhe ndonjë force tjetër politike, ka gjasa të materializohet pavarësisht deklaratave kushtëzuese parazgjedhore. Ky koalicion mund të sjellë energji të reja, një rivendosje besimi në raport me partnerët dhe konjukturat e reja gjeopolitike dhe politika makrofiskale më prudente. Por gjithashtu mund të vuajë në afatgjatë nga mungesa e stabilitetit, nga përplasjet e ndryshme në lidhje me dakordësimin e formës së asosacionit, në lidhje me çështje të ndjeshme të sigurimit të kufijve apo demarkacionit me Shqipërinë dhe Serbinë apo edhe menaxhimin e egove brendapërbrenda koalicionit ndërkohë që përballë do të kenë një opozitë të fortë dhe kompakte me Vetvendosjen që në çdo rast pritet të dalë forcë e parë dhe me shumë mundësi në kufijtë e poshtëm të 40 përqindshit.
Në çdo rast, Kosova ritregoi se di të organizoj proces zgjedhor normal, me institucionet që përgjithësisht sillen në mënyrë të denjë, që lënë pak vend për kontestim rezultati paszgjedhor dhe ku rregullat e lojës demokratike pasqyrojnë legjitimitetin e zgjedhjeve të qytetarëve. Pavarësia e gjyqësorit si dhe roli balancues i mediave janë gjithashtu një indikator më i mirë demokracie dhe i sundimit të ligjit se sa te ne. Megjithëse një shtet me rreth një shekull më pak eksperiencë se fqinji i saj jugor, Republika e Kosovës ofron leksione të vyera demokracie, oferte politike dinjitoze, balancë dhe kontroll pushtetesh dhe normalitet në raste rotacioni politik. Ndërkohë që te ne po flitet se si partia në pushtet që kërkon ethshëm mandatin e katërt të paprecedentë do t’ja bëj rrup sup opozitës, do ta shkatërrojë më keq se në annus horribilis të 97-ës apo si mobilizon diasporën duke përdorur burimet e administratës shtetërore. Qartazi, dy fotografi krejt të kundërta të situatës parazgjedhore në dy anët e kufirit që ballafaqohen me zgjedhje të përgjithshme këtë vit.