zoom

Kosova

Kosova voton: Shqetësimet – Serbia dhe problemet e brendshme

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës është mbushur me postera zgjedhorë.

Nga shtyllat e ndriçimit, billboard-et dhe muret, fytyrat e politikanëve iu buzëqeshin kalimtarëve, ndërsa sloganet tërheqëse të partive synojnë të sigurojnë mbështetje në ditën e zgjedhjeve.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Nga viti 2008 deri në 2021, janë mbajtur vetëm zgjedhje të parakohshme. Kandidatët garojnë për 120 vende në parlament.

Njëzet nga këto vende janë të rezervuara për anëtarët e pakicave kombëtare, ku gjysma i takon serbëve të Kosovës. Deri në zgjedhjet e vitit 2021, vendi është qeverisur nga koalicione të përbëra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat drejtoheshin nga figura të lëvizjes për pavarësi të viteve 1990.

Por zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 u fituan nga lëvizja social-demokratike Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ish-udhëheqës studentor dhe ish-i burgosur politik nën regjimin e diktatorit serb Slobodan Millosheviq. Kurti kandidon për një mandat të dytë të dielën.

Përplasje me Serbinë

Gjatë katër viteve të fundit, Kurti e ka ndryshuar rrënjësisht drejtimin e politikës së jashtme të Kosovës. Ndërsa qeveritë e mëparshme të Kosovës kishin vepruar në bashkërendim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria aktuale ka vepruar kryesisht në mënyrë të pavarur që nga viti 2021.

Prioriteti kryesor i kryeministrit, Albin Kurti duket zbatimi i sovranitetit të plotë të Kosovës në raport me Serbinë dhe të çlirojë vendin nga ndikimi i fuqive ndërkombëtare mbrojtëse, politikat e të cilave Lëvizja Vetëvendosje i konsideron “kolonialiste”.

Që nga viti 2011, Bashkimi Evropian përpiqet të arrijë normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Para se Kurti të merrte detyrën në vitin 2021, dialogu midis qeverive ishte pothuajse i ngrirë. Që atëherë, ai ka qenë praktikisht inekzistent. Kjo për shkak se Serbia nuk ka ndërmend të njohë sovranitetin e Kosovës, ndërsa Kosova refuzon të bëjë lëshime të përhershme që do t’i jepnin Serbisë mundësinë për të ndërhyrë në politikën e saj të brendshme.

Tension, dhunë dhe presion

Një nga pengesat kryesore në këtë aspekt është krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, një strukturë e qeverisjes lokale që kërkon një shkallë të caktuar autonomie kolektive. Në këmbim nga Serbia pritet të braktisë politikën e saj bllokuese dhe t’i lejojë Kosovës anëtarësimin në organizata globale si Kombet e Bashkuara.

Edhe pse nuk është bërë asnjë përparim në këtë çështje vitet e fundit, Kurti filloi shpejt zbatimin e politikës së sovranitetit pas ardhjes në pushtet. Kjo përfshinte vendosjen e euros si e vetmja valutë zyrtare në vend, përfshirë zonat me shumicë serbe që deri atëherë kishin përdorur dinarin serb për transaksione.

Serbia u kundërpërgjigj duke rritur praninë ushtarake në kufi. Forcat paramilitare serbe në veri të Kosovës kryen disa akte dhune, gjë që kërkoi ndërhyrjen e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, KFOR. Konflikti me Serbinë vazhdon të përshkallëzohet. Presidenti Aleksandar Vuçiq po përdor një ton gjithnjë e më agresiv ndaj Prishtinës. Kurse Qeveria e Kosovës po përballet me presion të madh nga BE dhe SHBA, të cilat nuk duan që ajo të refuzojë arritjen e “marrëveshjeve” me Serbinë.

Vota e të rinjve

Para zgjedhjeve çështjet rajonale dhe gjeopolitike dominojnë titujt e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare për Kosovën. Megjithatë, për votuesit e rinj, këto zhvillime nuk janë e vetmja çështje e rëndësishme në zgjedhje. Gjendja socio-ekonomike brenda vendit është po aq e rëndësishme.

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Papunësia në mesin e të rinjve nën 24 vjeç është rreth 33%. Korrupsioni mbetet një problem i madh, edhe katër vjet pasi Kurti dhe Vetëvendosje fituan zgjedhjet me një program të qartë kundër korrupsionit. Besarta Jashari, një gazetare 21-vjeçare që punon për radion dhe televizionin privat RTV 21, i tha DW se ajo dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër të shohë ndryshime shoqërore. “Këtu, mungesa e vendeve të punës dhe pagat e ulëta bëjnë që njerëzit të detyrohen të emigrojnë,” tha Jashari. “Sistemi i kujdesit shëndetësor duhet gjithashtu të përmirësohet, sepse shumë njerëz janë të detyruar të udhëtojnë jashtë vendit për trajtim. Dhe, më në fund, do të doja të shihja më shumë mundësi për vajzat dhe gratë e reja.”

“Politika gjithmonë dominohet nga të njëjtët personazhe të vjetër,” shtoi ajo. “Nuk ka pothuajse fare hapësirë për zërat e rinj me perspektiva të freskëta dhe ide progresive. Edhe në këto zgjedhje parlamentare, asnjë parti nuk i ka besuar një gruaje kandidaturën për postin e kryeministrit.”

Eksodi nga Kosova

Politologu Nexhmedin Spahiu thekson, se “të rinjtë në Kosovë nuk kanë durim të presin për zhvillimin e vendit: ata duan vende pune të sigurta dhe një shoqëri ku merita të ketë rëndësi, jo anëtarësimi në parti apo afërsia me pushtetin.”

Lea Hoxhaj me syze veshur me xhup lejlaLea Hoxhaj me syze veshur me xhup lejla
Lea HoxhajFotografi: Vjosa Çerkini/DW
Nëse qeveria e ardhshme nuk i dëgjon shqetësimet e të rinjve, eksodi nga vendi ka të ngjarë të vazhdojë, duke krijuar një problem edhe më të madh për Kosovën sesa konflikti me Serbinë dhe aktorët ndërkombëtarë. Lea Hoxhaj, një studente 18-vjeçare e menaxhimit dhe ekonomisë së aplikuar nga Prishtina, e cila do të votojë për herë të parë të dielën, tha se qeveria e ardhshme e Kosovës “duhet të krijojë vende të reja pune, të mbështesë të rinjtë dhe të sigurojë që sistemi arsimor të përmirësohet – si në aspektin e mësuesve të kualifikuar ashtu edhe të materialeve mësimore.”/ DW

Postime të lidhura