Aplikacion
Në këtë takim, Hoxha ka kërkuar një qasje më të butë të policisë ndaj qytetarëve gjatë periudhës parazgjedhore. Ai ka dhënë disa direktiva, si ajo që policia të jetë më e sjellshme me qytetarët, më e komunikueshme dhe më tolerante me gjobat, veçanërisht ndaj drejtuesve të automjeteve.
Këtë praktikë policia e ka ndjekur sa herë ka pasur zgjedhje, me qëllim përmirësimin e imazhit të qeverive përkatëse dhe për të ulur pakënaqësinë e qytetarëve. Por ky orientim i Ministrit ka shkaktuar një reagim të pazakontë dhe të fortë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai ka refuzuar t’i zbatojë ato, duke i konsideruar si udhëra me natyrë politike.
Proda ka dhënë një përgjigje të prerë dhe ka shfaqur një sjellje të paprecedentë të një drejtori policie ndaj një ministri.
“Këto janë urdhra politikë, s’kemi punë me këto, mbledhjen e deklaroj të mbyllur” – ka deklaruar proda sipas një burimi të Zoom.al brenda mbledhjes.
Pas këtij momenti të tensionuar, Proda është ngritur dhe ka dalë nga salla, duke lënë pas një atmosferë të rënduar dhe një mesazh të qartë, se shefat e komisariateve i marrin urdhërat vetëm prej tij.
Vetë shefat e komisariateve kanë mbetur të shokuar nga kjo sjellje arrogante e Drejtorit të Përgjithshëm, të cilën e kanë konsideruar si të pavend për mënyrën si ka reaguar ai.
Kjo është përplasja më e hapur mes dy figurave kryesore të rendit dhe sigurisë publike në vend. Zoom.al ka pasur vazhdimisht informacione nga burime të ndryshme se Hoxha dhe Proda kanë patur përplasje edhe më herët, si ajo për emërimin e Drejtorëve të Policisë në Qarqe apo për emërimet e Shefave të Komisariateve.
Sipas këtyre burimeve, Proda ka miratur vetëm 1 nga propozimet e Ministrit të Brendshëm për Drejtorë të Policisë në Qarqe dhe atë e ka bërë pas një nderhyrje nga qeveria.
Situata duket e mbarsur që prej kur Ministria e Brendshme organizoi “konkursin” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe mësohet se Proda nuk ka qenë i preferuari i Ministrit Hoxha, por për të ka pasur rekomandime nga grupe të tjera interesi. Ndryshimet e shpejta në strukturat e policisë dhe afrimi e zgjedhjeve të 11 majit duket se po shërbejnë si pikat e fundit për të derdhur gotën e mbushur të mardhënieve mes tyre.
Pas këtij episodi, të ndodhur në sytë e 7 shefave të komisariateve të Tiranës dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të policisë dhe Ministrisë së Brendshme është e qartë se marrëdhëniet mes Ministrit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë janë të papajtueshme.
Në këto kushte, ministri Hoxha do të duhet të rishikojë pozicionet, të tijin ose të numrit një të policisë, pasi kanë ide dhe vizione diametralisht të kundërta dhe kanë ekspozuar hapur tensionet brenda institucioneve të sigurisë.
Ky zhvillim, po ashtu, shton shqetësimet për përdorimin e policisë për qëllime elektorale. Është e qartë, ndonëse e pakonfirmuar, se Ministri i Brendshëm direktivat që u ka përcjellë shefave të komisariateve i ka marrë nga eprorët e tij në qeveri, kryeministri Rama ose zëvendëskryeministja Balluku. Por ajo që mbetet e paqartë është se nga kush i merr urdhërat Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, që refuzon hapur Ministrin.
Nëse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë do të refuzonte realisht të gjitha urdhërat për përdorim politik të policisë, ai do të hynte në histori. Por duke parë të shkuarën e tij dhe mënyrën si është emëruar, ka më shumë gjasë që ai të kërkojë të komunikojë vetë me eprorët e Ministrit, për të shmangur Ministrin, sesa të zbatojë ligjin. /Zoom.al