zoom

Lajme

PD: Bashkia Lezhë i rrëmbeu pronën qytetares për ta bërë çerdhe, por do të ndërtohen pallate

Zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli ka denoncuar Bashkinë Lezhë se i rrëmbeu pronën një qytetareje për ta bërë çerdhe, por në truall do të ndërtohen pallate.

Ajo deklaroi se shtetasja Betulla Veli Dhana kishte një pronë me sipërfaqe 56 m2 në katin e parë të pallatit nr. 98 në Lagjen Gurra.

Qytetarja, sipas denoncimit, e përdori pronën si njësi tregtare nga znj.Dhana deri në momentin kur ka rënë tërmeti në vitin 2019, i cili e dëmtoi.

Por, sipas denoncueses lokali nuk ishte dëmtuar aq sa për tu prishur.

“Ajo theksoi se ka mësuar nga burime jozyrtare se prona e saj do të bëhet çerdhe për fëmijë dhe në vendin ku ka qenë çerdhja do ndërtohet një pallat”, shprehet Vangjeli.

 

Deklarata e plotë:

Procesi i rindërtimit si për shumë shtetas të tjerë dëmtoi edhe një qytetare të Lezhës.

Znj. Betulla Veli Dhana përpara pak ditësh paraqiti pranë Partisë Demokratike denoncimin lidhur me pasurinë e saj me sipërfaqe 56 m2, me vendndodhje në katin e parë të pallatit nr. 98 në Lagjen Gurra, Lezhë, vërtetuar nga certifikata e pronësisë.

Kjo pronë e ligjshme e saj u shfrytëzua qetësisht si njësi tregtare nga znj.Dhana deri në momentin kur ka rënë tërmeti në vitin 2019, i cili e dëmtoi sipas verifikimeve të komisioneve përkatëse, ndonëse lokali sipas denoncueses nuk ishte dëmtuar aq sa për tu prishur.

Kështu u rindërtua i njëjti pallat që ka patur nr. 98,  në katin e parë të së cilit e njëjta njësi tregtare gjithashtu, e cila qëndron bosh që nga momenti i rindërtimit.

Në pritje të rimarrjes së pronës së saj ligjore dhe si i vetmi mjet me të cilin siguron të ardhurat familjare, znj. Dhana nëpërmjet avokatit të saj i është drejtuar fillimisht Bashkisë Lezhë, dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera dhe përgjigja e tyre ishte: Do dali vendimi i qeverisë se si do veprohet me këtë njësi tregtare.

E njëjta kërkesë i është drejtuar Kryeministrit  Rama dhe premtimi ishte se do merrnin  përgjigje së shpejti…

Topi ping pong me pronën dhe bukën e qytetares së thjeshtë vazhdoi….

Znj. Simonele Floriri prezantuar si Drejtoresha e Rindërtimi pranë Bashkisë Lezhë i ka shpjeguar verbalisht të interesuarës se kjo njësi tregtare, do të bëhej çerdhe për komunitetin dhe për këtë është marrë vendim nga institucioni i Bashkisë, e për informacion të mëtejshëm znj. Dhana duhej të drejtohej me shkrim.

Sipas kësaj porosie, denoncuesja dërgoi kërkesë për informacion e cila përfundoi në dorën e drejtorit të zyrë së Urbanistikës pranë Bashkisë Lezhë, por pa sukses, përgjigja ishte e njëjtë: duhet të dilte vendimi i qeverisë.

Atëherë zonja i ridrejtohet KM Rama por edhe pas përgjigjes, asnjë zgjidhje për rimarrjen e pronës njësi tregtare të znj. Dhana.

Ajo theksoi se ka mësuar nga burime jozyrtare se prona e saj do të bëhet çerdhe për fëmijë dhe në vendin ku ka qenë çerdhja do ndërtohet një pallat.

Së fundi znj. Dhana i është drejtur organeve të hetimit për shkeljet e evidentuara.

Që shteti shqiptar nën drejtimin e Edi Ramës nuk mbron pronën e qytetarëve përkundrazi ky është fakt.

Edi Rama me programin e tij të “suksesshëm” të rindërtimit të japi përgjigje pyetjes:

Çfarë duhet të bëjë znj. Bedulla Veli Dhana për t’ju rikthyer prona e saj legjitime me të cilën ushqehet?

Edi Rama për veten e tij jeton në saraje por njerëzve të thjeshtë nuk i jep çfarë i takon …