Aplikacion
Kanceri i mushkërive te njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan tani vlerësohet të jetë shkaku i pestë më i madh i vdekjeve nga kanceri në mbarë botën, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC).
Kanceri i mushkërive te ata që nuk pinë kurrë duhan gjithashtu po shfaqet pothuajse ekskluzivisht si adenokarcinoma, e cila është bërë më dominuesja nga katër nëntipet kryesore të sëmundjes si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat globalisht, tha IARC.
Rreth 200,000 raste të adenokarcinomës u shoqëruan me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit në vitin 2022, sipas studimit të IARC të publikuar në revistën Lancet Respiratory Medicine.
Barra më e madhe e adenokarcinomës që i atribuohet ndotjes së ajrit u gjet në Azinë Lindore, veçanërisht në Kinë, zbuloi studimi.
Në një intervistë me ‘The Guardian’, autori kryesor i studimit Freddie Bray, tha se gjetjet nënvizuan nevojën për monitorim urgjent të rrezikut në ndryshim të kancerit të mushkërive.
“Duhen studime të mëtejshme për të identifikuar faktorët e mundshëm, siç është ndotja e ajrit, në popullatat ku pirja e duhanit nuk konsiderohet shkaku kryesor i kancerit të mushkërive”, shtoi ai.
“Me rënie në prevalencën e duhanpirjes, siç shihet në Britani dhe SHBA, përqindja e kancerit të mushkërive të diagnostikuar në mesin e atyre që nuk kanë pirë kurrë duhan është rritur”, tha Bray. “Nëse proporcioni global i adenokarcinomave që i atribuohen ndotjes së ajrit të ambientit do të rritet, varet nga suksesi relativ i strategjive të ardhshme për të kufizuar përdorimin e duhanit dhe ndotjen e ajrit në mbarë botën”.
Kanceri i mushkërive mbetet shkaku kryesor i incidencës dhe vdekshmërisë së kancerit në mbarë botën. Në vitin 2022, rreth 2.5 milionë njerëz u diagnostikuan me këtë sëmundje. Por modelet e incidencës sipas nëntipit kanë ndryshuar në mënyrë dramatike në dekadat e fundit.
Nga katër nëntipet kryesore të kancerit të mushkërive adenokarcinoma është bërë nëntipi dominues si tek burrat ashtu edhe tek gratë, zbuloi IARC.
Adenokarcinoma përbënte 45.6% të rasteve globale të kancerit të mushkërive te meshkujt dhe 59.7% të rasteve globale të kancerit të mushkërive tek femrat në vitin 2022. Shifrat përkatëse ishin 39.0% dhe 57.1% në 2020.
Ndërkohë që shkalla e incidencës së kancerit të mushkërive për meshkujt në përgjithësi është ulur në shumicën e vendeve gjatë 40 viteve të fundit, normat e grave kanë tendencë të vazhdojnë të rriten.
Tendencat aktuale sugjerojnë se ndërsa burrat përbëjnë ende shumicën e rasteve të kancerit të mushkërive (rreth 1.6 milion në 2022), hendeku midis incidencave të kancerit të mushkërive tek meshkujt dhe gratë po ngushtohet, me rreth 900,000 gra të diagnostikuara me kancer në mushkëri në 2022.
Ekspertët e kancerit thanë se shifrat pasqyronin dallimet historike në prevalencën e duhanpirjes, veçanërisht se normat e duhanpirjes arritën kulmin shumë më herët tek meshkujt sesa tek gratë.
Ndryshimet në prodhimin e cigareve dhe modelet e pirjes së duhanit në dekadat e fundit kanë ndikuar në tendencat në incidencën e kancerit të mushkërive sipas nëntipit.