Aplikacion
Gjatë një konference për shtyp jashtë Shtëpisë së Bardhë të hënën, Leavitt deklaroi se USAID dështoi në përmbushjen e detyrave të tij.
Leavitt mbështeti planin e Musk dhe Trump për të eliminuar USAID-in dhe renditi disa nga programet e kota që agjencia drejton.
“Nëse i hidhni një sy abuzimeve që janë bërë në USAID gjatë disa viteve të fundit, këto janë disa nga prioritetet e çmendura për të cilat ajo organizatë ka shpenzuar para”, tha ajo.
27-vjeçarja theksoi disa nga këto shpenzime janë “1.5 milion dollarë për të avancuar DEI (Diversitetin, Barazinë dhe Përfshirjen) në vendet e punës në Serbi, 70.000 dollarë për prodhimin e një muzikal të DEI në Irlandë, 47.000 dollarë për një operë për transgjinorët në Kolumbi dhe 32.000 dollarë për një libër komik transgjinor në Peru.”
Më pas shtoi se: “Unë nuk e di për ju, por si një taksapaguese amerikane, nuk dua që dollarët e mi të shkojnë drejt kësaj katrahure. Dhe e di që as populli amerikan nuk e do këtë, dhe kjo është pikërisht ajo që Elon Musk është ngarkuar nga Presidenti Trump për të bërë”.
Kritikat e ashpra të Karoline Leavitt vijnë pasi DOGE ndaloi punonjësit e USAID-it të hynin në zyrë të hënën, ndërsa ata kryenin një rishikim të programeve dhe shpenzimeve të agjencisë.
Dy zyrtarë të lartë të sigurisë u pushuan pasi penguan personelin e DOGE që të aksesonte dosjet dhe informacionet e klasifikuara. USAID është një agjenci federale e pavarur me një buxhet vjetor prej 50 miliardë dollarësh.
Grenell: Miliarda $ u janë dhënë OJQ-ve të majta për të nxitur politika radikale në Ballkan