Aplikacion
Në fund të vitit 2024, Këshilli i Ministrave miratoi ndërtimin e një termocentrali të ri në Roskovec të Fierit. Projekti, i cili do të zbatohet nga kompania “Fier Thermoelectric”, parashikon një termocentral me fuqi 170 MW që do të funksionojë me gaz natyror.
Kompania investuese është një bashkëpunim greko-shqiptar, ku 70% të aksioneve i përkasin kompanisë greke GEK TERNA, ndërsa 30% kompanisë shqiptare GENER 2. Termocentrali do të furnizohet me gaz nga gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP).
Ky projekt strategjik në sektorin e energjisë vjen si përgjigje ndaj nevojave në rritje për energji elektrike në vend. Megjithatë, vendimi ka ngritur disa pikëpyetje teknike dhe ligjore që kërkojnë vëmendje të veçantë nga institucionet përgjegjëse. Vendimi i qeverisë u publikua në Fletoren Zyrtare dhe përcakton kushtet për ndërtimin e termocentralit dhe infrastrukturës ndihmëse në zonën e Roskovecit.
Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, i përgatitur nga “Illyrian Consulting Engineers” dhe i financuar nga “Fier Thermoelectric”, pretendon se termocentrali do të punojë vetëm 149 ditë në vit. Por vetë kompania, në studimin e saj të shpërndarjes së ajrit, parashikon funksionim deri në 355 ditë në vit.
“Llogaritjet tona tregojnë se për 3,500 orë pune në vit, termocentrali do të prodhojë 244,545 tonë CO2, jo 7,620 ton siç pretendohet në raport. Në rastin e operimit të plotë prej 8,520 orësh, shkarkimet do të arrijnë në 595,292 tonë CO2 në vit, jo 11,335 ton,” shpjegon Lavdosh Feruni, aktivist i Lëvizjes për Energjinë dhe Klimën.
Këto zbulime ngrenë pikëpyetje serioze për procesin e miratimit të projektit dhe besueshmërinë e raportit mjedisor. Duket se shifrat janë minimizuar qëllimisht për të siguruar miratimin e lejes së ndërtimit nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit.
Financimi i ekspertëve mjedisorë nga vetë investitorët ka ngritur shqetësime të mëdha në lidhje me pavarësinë e procesit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM). Kjo praktikë ngre pikëpyetje mbi objektivitetin dhe integritetin profesional të ekspertëve, duke rrezikuar që vlerësimet të mos pasqyrojnë realisht ndikimet e projekteve në mjedis.
Një tjetër problematikë shqetësuese është mungesa e ekspertëve të specializuar në fushën e termocentraleve në Shqipëri. Kjo vjen si pasojë e mungesës së programeve specifike akademike që mund të formojnë profesionistë të tillë. Si rezultat, vlerësimet mjedisore për projektet energjitike shpesh kryhen nga kompani që nuk kanë aftësitë e duhura për të analizuar ndotjen nga gazet serë (GHG). Kjo është një nga arsyet kryesore pse çështja i është referuar Komunitetit të Energjisë (EnC).
Për më tepër, shqetësime ngrihen edhe mbi përbërjen e komisionit të vlerësimit të dosjeve të aplikimit për projekte të tilla. Ka raste kur ky komision nuk përfshin inxhinierë me përvojë në teknologjitë e termocentraleve, çka mund të ndikojë në cilësinë e vendimmarrjes dhe në vlerësimin e saktë të ndikimit të këtyre projekteve në mjedis.
Në këto kushte, nevojitet një reformë e thellë në procesin e VNM-së, duke siguruar pavarësinë e ekspertëve dhe duke krijuar kapacitete të specializuara për të garantuar një analizë të saktë dhe objektive të projekteve me ndikim në mjedis. Projektet energjitike kërkojnë vlerësime të detajuara mbi ndikimin e tyre në burimet natyrore, veçanërisht kur bëhet fjalë për përdorimin dhe shkarkimin e ujit. Në rastin e Termocentralit të Roskovecit (TEC), analizat inxhinierike mbi sasinë dhe cilësinë e ujit të nevojshëm për procesin e ftohjes janë të paplota, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin në ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore të zonës.
Një nga aspektet kryesore të shqetësimit është respektimi i kufijve të përcaktuar në VKM Nr.177, datë 31.3.2005, ku theksohet se temperaturat e ujërave pritës nuk duhet të rriten më shumë se 3°C nga shkarkimet e termocentraleve. Megjithatë, llogaritjet e deritanishme tregojnë se temperatura e ujit të shkarkuar nga TEC-i mund të jetë deri në 12°C më e lartë se temperatura natyrore e ujërave pritës, një ndryshim që mund të shkaktojë dëme të mëdha në ekosistemin lokal, duke rrezikuar florën dhe faunën e zonës.
Për më tepër, dokumentacioni i publikuar nga TEC Roskovec nuk përmban një analizë inxhinierike të detajuar për sasinë e ujit të nevojshëm për ftohje dhe përbërjen kimike të tij. Sipas të dhënave të ofruara, ky TEC pritet të konsumojë 40,000 m³ ujë në vit, një shifër që përbën vetëm 5% të sasisë vjetore të ujit të nevojshëm për Bashkinë Roskovec (850,000 m³/vit për vitin 2022). Megjithatë, një analizë më e detajuar tregon se kjo sasi uji nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbështetur funksionimin e vazhdueshëm të TEC-it.
Për një operim prej 3,500 orësh në vit, llogaritet se nevojiten rreth 100,000 m³ ujë, ose 12% e furnizimit total me ujit të zonës. Nëse termocentrali do të punonte me kapacitet të plotë për 8,560 orë në vit, nevoja për ujë do të arrinte në 28% të furnizimit total, duke krijuar një presion të konsiderueshëm mbi burimet ujore ekzistuese. Në këto kushte, TEC-i do të detyrohet të sigurojë ujin e nevojshëm nga Ujësjellësi dhe lumi Gjanica, një situatë që mund të ndikojë ndjeshëm në rezervat ujore dhe cilësinë e tyre.
Nga pikëpamja teknike, për ftohjen e ajrit dhe turbinës me avull të një TEC-i me kapacitet 170 MW, llogaritet se do të nevojiten rreth 108 m³ ujë në orë. Nga kjo sasi, një pjesë e ujit do të shkarkohet në mjedis me një temperaturë mesatare prej 30°C. Duke qenë se temperatura natyrore e ujërave të zonës duhet të jetë më e ulët se 15°C, shkarkimet e TEC-it do të shkaktonin një rritje me rreth 12°C, duke krijuar një ndikim të rëndë në ekosistem dhe duke rrezikuar biodiversitetin e zonës.
Në kushtet kur dokumentacioni i projektit nuk ofron analiza të plota dhe nuk garanton masa mbrojtëse për ekosistemin ujor, është e nevojshme një rivlerësim i thelluar i ndikimit që TEC-i i Roskovecit mund të ketë në burimet ujore të zonës dhe në ekuilibrin natyror. Vetëm një vlerësim transparent dhe i pavarur mund të sigurojë mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore në këtë zonë.
Procesi i dhënies së autorizimeve për ndërtimin e Termocentralit të Roskovecit (TEC) ka ngritur shqetësime të mëdha për mungesën e transparencës dhe respektimin e procedurave ligjore. Sipas VKM nr. 822, datë 7.10.2015, çdo projekt për kapacitete të reja energjitike duhet të përmbushë një sërë kriteresh të qarta teknike dhe mjedisore, duke përfshirë teknologjinë e përdorur, efikasitetin termik dhe elektrik, burimin e furnizimit me karburant dhe pajtueshmërinë me standardet mjedisore.
Në rastin konkret, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka dhënë autorizimin paraprak për TEC-in më 5 prill 2023, pa siguruar më parë burimin e furnizimit me gaz natyror nga projekti TAP. Kjo bie në kundërshtim me kërkesat ligjore, pasi nuk ka asnjë marrëveshje apo garanci për sigurimin e gazit të nevojshëm për operimin e TEC-it me kapacitet 170 MW. Edhe pas dhënies së autorizimit përfundimtar dhe shpalljes së VKM nr. 785/2024, ende nuk ekziston një kontratë afatgjatë për furnizimin me gaz, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e projektit.
Një tjetër problematikë lidhet me ndryshimin e VKM nr. 822/2015 përmes VKM nr. 192, miratuar më 5 prill 2023, ku përcaktohet qartë se ndërtimi i kapaciteteve të reja energjitike nuk mund të bëhet në toka me kufizime përdorimi, siç janë zonat e mbrojtura ose tokat bujqësore. Megjithatë, pavarësisht këtij rregulli, me shkresën nr. 1427/2 të datës 5 prill 2023, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar në favor të kompanisë “Fier Thermoelectric” sh.a. autorizimin paraprak për ndërtimin e TEC-it në Roskovec, duke anashkaluar faktin se toka e përzgjedhur ishte bujqësore. Kjo vendimmarrje ngre dyshime mbi respektimin e kuadrit ligjor dhe mbrojtjen e interesave publike.
Një tjetër pikë e paqartë është procedura e ndjekur për dhënien e autorizimit përfundimtar. Sipas VKM nr. 822/2015, afati për vazhdimin e procedurës është 6 muaj, ndërsa Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) i është këruar të rinovojë lejen çdo 6 muaj. Megjithatë, deri më tani nuk ka një leje të re të rinovuar nga OST, dhe procedura e dhënies së autorizimit përfundimtar ka zgjatur më shumë se një vit e gjysmë, duke shkelur qartësisht afatin ligjor.
Këto shkelje dhe paqartësi në procesin e autorizimit të TEC-it në Roskovec hedhin dyshime mbi mënyrën se si janë ndjekur procedurat dhe mbi transparencën e institucioneve përgjegjëse. Për një projekt të kësaj përmase, ku ndikimi në mjedis dhe ekonominë lokale është i madh, është e domosdoshme që të sigurohet respektimi i plotë i kuadrit ligjor dhe garantimi i kushteve të nevojshme për një operim të qëndrueshëm dhe të sigurt./Klima.al