zoom

Ekonomi

Ekonomistët, mendime të ndryshme mbi ndikimin e tarifave në ekonominë amerikane

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara po trajtohen në mënyrë të padrejtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë dhe ai është gati të përdorë fuqinë e plotë ekonomike të vendit për ta ndryshuar këtë.

“Tarifat do ta bëjnë vendin tonë të pasur”, tha ai.

Presidenti kërcënoi me tarifa të mëdha çdo vend që refuzon kërkesat e tij, si ato për luftën ndaj imigracionit të paligjshëm, trafikun e drogës ose që sfidojnë epërsinë tregtare të Shteteve të Bashkuara. Ekonomistët kanë mendime të ndryshme rreth mënyrës së si mund të ndikojnë tarifat në ekonominë dhe konsumatorët amerikanë.

“Është e mundur të zbatohet një strategji për tarifat, që do të zhvendsote barrën kryesisht jashtë vendit.”

Ekonomisti James Galbraith thotë se tarifat e propozuara nga Presidenti Trump mund të ndihmojnë në rikthimin e vendeve të punës në industritë e ndryshme amerikane. Duke i bërë mallrat e huaja më të shtrenjta, qëllimi është të tkurret varësia nga importet dhe të forcohet prodhimi vendas. Por disa ekonomistë argumentojnë se tarifat pakësojnë potencialin e ekonomisë.

“Në planin afatgjatë, tarifat do të krijojnë më shumë pasiguri. Nga pikëpamja e biznesit, asnjë pronar biznesi nuk dëshiron të investojë në një vend që mund të përballet me tarifa tani ose në të ardhmen”, thotë ekonomisti Edmond Berisha nga Universiteti Shtetëror Montclair.

Në ditën e tij të parë në detyrë, Presidenti Trump tha se po mendonte për të imponuar një tarifë 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja, duke filluar nga 1 shkurti. Fundjavën e kaluar, ai gjithashtu kërcënoi dhe më pas u tërhoq nga vendosja e tarifave të ngjashme ndaj Kolumbisë.

Kritikët paralajmërojnë se tarifa të tilla do të kenë një ndikim të menjëhershëm mbi familjet dhe pronarët e bizneseve amerikane. Ata thonë se kostoja e tarifave për artikujt e përditshëm si artikujt ushqimor, rrobat dhe kafeja do të kalojë tek konsumatorët.

“Ne jemi marrë me kultivimin e kafesë në Kolumbi për rreth 150 vjet. Ferma është në pronësi të familjes sonë tani për afër 80 vjet.”

Jonathan Echeverry, pronar i Kompanisë “Paper Plane Coffee” jashtë qytetit të Nju Jorkut, shqetësohet se nëse vendosen tarifa ndaj mallrave kolumbiane, siç kërcënoi Presidenti Trump së fundmi, ai do të detyrohet të kalojë kostot më të larta tek konsumatorët.

“Tani ne jemi në një krizë kafeje pasi kemi një rritje të çmimeve në nivelin më të lartë në 50 vjet. Pra, duke shtuar mbi këtë një tarifë 25 apo 50 për qind thjesht do ta përkeqësonte situatën”, thotë Jonathan Echeverry nga kompania “Paper Plane Coffee Company”.

Mbrojtësit e tarifave thonë se nuk është gjithmonë konsumatori ai që mban barrën.

“Kjo mund të ndodhë, por jo gjithmonë. Ju duhet të pyesni se si do të reagojnë furnizuesit e huaj. Në disa rrethana, ata mund të reagojnë duke ulur shkallën e tyre të fitimit dhe duke u përpjekur të ruajnë pjesën e tyre të tregut”, thotë ekonomisti James Galbraith.

Amerikanët po përgatiten për ndikimin që tarifat mund të kenë mbi punët e tyre, bizneset dhe çmimet e artikujve që konsumojnë./ Zëri i Amerikës