Aplikacion
Mbështetur nga të dhënat e një ankete, ministri Hoxha tha se 82% e shqiptarëve ndihen të sigurt dhe 65% vlerësojnë punën e policisë si të mirë apo shumë të mirë.
Rezultatet e anketës tingëllojnë të pavërteta nëse i rikthehemi fjalimit të para dy ditëve të Ilir Prodës, drejtorit të Policisë së Shtetit. Me forcat policore pranë, Proda pranoi abuzimin e policisë rrugore me gjobat e mjeteve dhe shoferëve. Si mundet një shoqëri (62%) të jetë e kënaqur me punën e një policie që nuk i dedikohet qëllimit të ruajtjes së rendit?
Edhe ndjenja e sigurisë vihet në dyshim nëse rikujtojmë raportin e fundvitit nga Avokati i Popullit. Në vitin e fundit në Shqipëri ishin vrarë 34 gra nga një familjar apo partner intim, 7 prej të cilave e kishin denoncuar më parë dhunën dhe vetëm 2 prej tyre kishin përfituar urdhër mbrojtje.
Një rast konkret i ngjashëm është ai i Ramazan Matajt në Shkodër, i cili mbeti i vrarë pak javë më parë pasi ngacmonte vazhdimisht një vajzë të re dhe familjen e saj dhe kishte tentuar ta prostituonte. E reja A.H dëshmoi se e kishte denoncuar dy herë Matajn, por askush nuk kishte reaguar.
Kryeministri Rama tha gjatë prezantimit se këto shifra janë më të larta se mesatarja europiane dhe rrjedhimisht, kjo e bën Shqipërinë më të sigurt se këto vende. Vërtetësia e tyre është e diskutueshme edhe pa pasur raste të dështimit e abuzimit të policisë . Studimet kanë treguar se shifrat që ofrojnë qeveritë janë lehtësisht të manipulueshme. P.sh “The Economist” gjeti se në vitin 2022, inflacioni në Turqi ishte dyfish më i lartë nga se raportonte qeveria atje, 79 me 160%. I njëjti studim zbuloi se 7 nga 10 qytetarë turq besonin shifrat e “The Economist” e jo të qeverisë.
Winston Churchill shkruhet se ka thënë: “Unë besoj vetëm shifrat që kam nxjerrë vetë”. Dhe kjo është e vërteta e secilës palë. Qeveria refuzon sa herë të besojë shifrat e medias dhe e anasjella, por sipas studimit, qytetarët e dinë cili është burimi i saktë./Zoom.al