Aplikacion
Shkak për këtë reagim të PD-së përmes kryetarit të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, u bë një letër që Begaj i dërgoi Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur ngërçin e krijuar për mandatin e anëtarve të saj.
Begaj i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë skemën e ripërtëritjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, kjo gjykatë duhet të shprehet edhe për dy mandate të tjera të anëtarëve si në rastin e Holta Zaçajt.
“Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit për gjyqtaren Zaçaj, por nuk ka vepruar për të deklaruar mbarimin e dy mandateve të tjera që përfshihen në përtëritjen e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit 2016. Nëse nuk deklarohet mbarimi i dy mandateve të tjera dhe arsyetimi i bërë për mandatin e gjyqtares Zaçaj nuk vlen për dy mandatet e tjera, nuk mund të ketë përtëritje të pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025. Për pasojë, shkurtimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj i bie të jetë bërë në kundërshtim me Kushtetutën”, shkruan Begaj.
Reagimi i PD
Por Partia Demokratike e lexoi këtë letër si një përpjekje të Edi Ramës për të vënë nën kontroll absolut Gjykatën Kushtetuese.
Gazment Bardhi akuzoi Bajram Begajn se po i shërben si ushtar Ramës në përmbushje të këtij qëllimi.
“Akti i pashëmbullt i Bajram Begajt, në emër dhe për llogari të Edi Ramës, për të kapur 100 % Gjykatën Kushtetuese, është jo vetëm i dënueshëm, por edhe i papranueshëm.
Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9 vjeçarë, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës. Cënimi i mandateve nënkupton cenimin e vetë pavarësisë së Gjykatës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës.
Me aktin e sotëm Bajram Begaj nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës, por guximi i tij për të shkuar deri tek hedhja në erë e Kushtetutës vetëm që Edi Rama ta rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese 100 %, është përtej pritshmërisë së shërbimeve edhe nga ushtari me gradën më të ulët.
Duke dënuar me forcë aktin e sotëm të Bajram Begajt, apeloj që kjo lojë që rrezikon legjitimitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese, të ndalet menjëherë”, tha Gazment Bardhi.