zoom

Lajme

Kryeministri serb Millosh Vuçeviç jep dorëheqjen

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka njoftuar dorëheqjen e tij në një konferencë për mediat.

“Vendimi im i parevokueshëm është të jap dorëheqjen si kryeministër i Republikës së Serbisë. Kam pasur një takim të gjatë me presidentin Vuçiq, ai pranoi vendimin dhe argumentet e mia”, deklaroi ai.

Dorëheqja vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj.

Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha një ditë më herët se të gjitha kërkesat e tyre janë plotësuar.

Gjatë atij fjalimi, ai kërkoi edhe ristrukturimin e Qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës Vuçeviq ishte nga maji i vitit 2024.

Neni 132 i Kushtetutës së Serbisë thotë se kryeministri e paraqet dorëheqjen te kryetari i Kuvendit dhe e njofton njëkohësisht presidentin e Republikës dhe publikun për vendimin e tij.

Kuvendi, në seancën e parë të radhës, konstaton dorëheqjen e kryeministrit.

Mandati i Qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit.

Pasi që Kuvendi ta konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Qeverinë e re brenda 30 ditëve nga data e dorëheqjes së kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e reja.

Postime të lidhura