zoom

Aktualitet

Arrestohet nipi i ish-deputetit të PS-së! E pësoi edhe i ati, zbulohet arsyeja

Policia ka arrestuar 24-vjeçarin, Ariel Rraja, pasi akuzohet se ka thyer masën e sigurisë arrest shtëpie.

I riu mësohet se është vendosur në pranga në një lokal mbrëmjen e së mërkurës.

Ndaj tij, Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Ndërkohë është proceduar penalisht edhe babi i tij, Flamur Rraja, si edhe 26-vjeçari me iniciale E. T., pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Rr., 24 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, janë proceduar penalisht shtetasit F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat”, njoftoi policia.

I riu është përfshirë edhe për ngjarjen e ndodhur në tetor 2024 ku së bashku me të atin dhunuan Kujtim Cacën dhe familjen e tij, por nuk është raportuar nga policia. Ngjarja raportohet se ka ndodhur për çështje prone.

Ariel Rraja gjithashtu është arretuar sepse gjatë një kontrolli që policia ushtroi në banesën e tij në Tiranë gjeti një sasi kokaine dhe shuma parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Dhuna ndaj fisit Maja

Flamur Rraja gjithashtu ka qenë i shpallur është në kërkim për shkak të dhunës barbare ndaj fisit Maja për guroren në Borizanë. Flamur Rraja, i cili mbante pistoletën në dorë, është një ndër anëtarët e fisit Rraja që dhunuan me shkopa bejsbolli dhe kërcënuan Jashar dhe Bilbil Majën pse ata ishin ankuar në polici për guroren e tyre në Borizanë.

“Në lokal pashë që kur u shtriva në dysheme u futën edhe katër persona të tjerë, ishte edhe “Caku” që është pronar i gurores. Kishin në duar shkopinj me të cilët na godisnin. Flamur Rraja më ka goditur me shulin e pistoletës, kurse Xhelal Rraja më goditi nga mbrapa në shpinë me qytën e pistoletës”, tha në polici Bilbil Maja, pasi u dhunua.

Policia arrestoi 4 persona dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë, si të përfshirë në konfliktin mes fisit Rraja dhe Maja në Fushë-Krujë.

Policia ndaloi Ineidi Rraja 23 vjeç, Eni Kullaj 27 vjeç, Kujtim Përdaku 57 vjeç dhe Andi Rraja 28 vjeç.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xhelal Rraja, 65 vjeç, Flamur Rraja, 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç, të gjithë këta persona janë pjesëtarë të fisit Rraja.

Dorëheqja e Rrahman Rrajës

Dy ditë pas kësaj ngjarjeje, Rrahman Rraja u dorëhoq nga posti i deputetit për shkak të skandalit në të cilin u përfshi djali i tij, duke u shprehur se ka dështuar si prind.

“Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegevë të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe terheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.

Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, tha Rraja.

 

Related Posts