Aplikacion
Lajmi se SPAK ka marrë në akuzë ish-kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, sepse ka hequr nga puna një drejtor në Bashki, është veç maja e ajsbergut. Është gjysma e së vërtetës. Si mund të merret SPAK me një çështje kaq “të rëndomtë,” kur nevojat për të hetuar çështjet e mëdha janë ulëritëse? Në Shkodër thonë se po te kërkosh lopën e zezë në mes të natës, çdo mi të duket si bishë.
E vërteta e plotë është se pas një hetimi shterues , ku janë shpenzuar qindra orë të oficerëve të BKH dhe vetë prekuroreve SPAK ka arritur të zbulojë se Bardh Spahia:
1. Ka fshehur inceneratorin e Tiranës. Jo vetëm që e ka fshehur, por e ka maskuar si landfill.
2. Si mjek, jo vetëm që Spahia ka ideuar, nxitur dhe konceptuar koncesionin e sterilizimeve, por ka dyshime të arsyeshme se ka nisur një projekt për të sterilizuar votuesit e qeverisë
3.Si kryetar bashkie, është provuar se ka lidhje me bandat e Shkodrës, veçanërisht me Bajrat, të cilëve u ka premtuar vendin e drejtorit që ka hequr nga puna
4. Bardh Spahia ka qenë në prapaskenë të demonstratës së dhunshme të 21 janarit, duke organizuar gjithçka dhe duke përdorur edhe paratë e veta për të financuar udhëtimin e “shkodranëve” drejt Tiranës
5. Bardh Spahia është porositësi i Tojota Yaris dhe njeriu që ka tërhequr gjithë fijet në prapaskenë
6.Bardh Spahia del në çdo bisedë të krimit të organizuar në aplikacionet sky, encro chat, matrix.
7.Prekuroret e SPAK ende nuk kanë zberthyer një mesazh të koduar me dy fjalë dhe për këtë mesazh po kërkojnë ndihmën e partnerëve. Mesazhi është: “Nadja e mirë”.
Kjo dosje monumentale e Bardh Spahise do të mbetet krenaria e SPAK-ut, për 5 vitet që kaluan dhe për 5 vitet që do të vijnë. Dosja e qepur me delikatesë konsiderohet si “Monalisa e drejtësisë shqiptare”.
Nëse dikush thotë se SPAK po merret me çikërrima, le ta mësojë sot se kjo çështje nuk është suksesi radhës, por edhe një tekst mësimor për brezat e ardhshëm të prekurorëve:
SPAK-u nuk ndalet! Është e qartë si drita e diellit që në Shqipëri krimi i organizuar dhe korrupsioni dridhet vetëm nga prekurorët që nuk dinë ku të ndalen!
P.S. Është dhe një akuzë tjetër e rëndë për krime të kryera jashtë vendit: pas urdhrit të Presidentit Trump që CIA të hap dosjet e vjetra, rezulton se Bardh Spahia është përgjegjës edhe për vrasjen e Kenedit.