zoom

Aktualitet

Sherri në Tiranë/ Policia përfshihet nga hije skandali, si qëndron e vërteta

Këtë të hënë, mes disa vajzave ndodhi një konflikt me thika.

Sherri u regjistrua në zonën e “Delijorgjit” në Tiranë. Burime konfirmojnë se në konflikt janë përfshirë dy motrat Xhemile dhe Esma Verlaku me Kasandra Canin. Kjo e fundit, pas debatit verbal, qëlloi me thikë ndaj motrave.

Autorja, sipas burimeve, është arrestuar, ndërsa dy motrat janë proceduar në gjendje të lirë dhe pritet të merren në pyetje. Njëra prej tyre ndodhet në spital, për shkak të plagës që mori me thikë.

Ngjarja në fjalë ngriti hije dyshimi mbi funksionimin e Policisë së Shtetit. Së pari, policia vonoi të reagonte zyrtarisht për konfliktin mes vajzave, një konflikt i cili mund të kishte agravuar në pasoja edhe më të rënda.

Në reagimin e saj të vonuar, policia deklaroi se një ditë më parë, motrat Verlaku kanë shkuar në komisariatin nr.2 për të bërë kallëzim, pas një konflikti që kishin pasur në Vorë.

Por, sipas policisë, vajzat janë larguar pas 4 minutash dhe nuk kanë përfunduar procedurat e kallëzimit.

“Më datë 20.01.2025, në orën 02:34 të mëngjesit, shtetaset E. V., 22 vjeçe, dhe Xh. V., 24 vjeçe, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 për kallëzim, për një konflikt që kishin pasur me disa shtetase të tjera në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, por nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi personat e përfshirë apo mjetet e përdorura.

Shërbimet e Policisë i kanë informuar ato mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla dhe procedurat që duhen ndjekur. U është kërkuar të presin për marrjen e kallëzimit nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, por shtetaset janë larguar nga Komisariati në orën 02:38, pa përfunduar procedurën e kallëzimit.

Nga hetimet rezulton se, pas largimit nga Komisariati, shtetaset E. V. dhe Xh. V. (motra) dyshohet se kanë shkuar në banesën e shtetases K. C. dhe janë konfliktuar fizikisht. Gjatë këtij konflikti, shtetasja K. C. dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasen E. V., e cila aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Theksojmë se Komisariati i Policisë Nr. 2 ka ndjekur me përpikëri procedurat ligjore dhe ka qenë i gatshëm për trajtimin e rastit, dhe në asnjë moment nuk u është refuzuar marrja e kallëzimit. Kjo është e dokumentuar edhe me pamjet filmike të Komisariatit të Policisë Nr. 2, që tregojnë veprimet e punonjësve të Policisë dhe të dy shtetaseve dhe kohën e qëndrimit të tyre prej 4 minutash në Komisariat. Pas kësaj, ato janë larguar duke mos përfunduar procedurën e kallëzimit”, tha policia.

Por nga ana tjetër, burime dhe media të ndryshme pasqyruan një tjetër version, i cili e implikon policinë drejtpërsëdrejti me ngjarjen.

Sipas këtyre burimeve, një ditë më parë, efektivët e komisariatit nr. 2 në Tiranë kanë përcjellë motrat Versalaku që kishin shkuar për të bërë denoncim për konfliktin që kishin.

Ata nuk e kanë marrë parasysh kallëzimin e vajzës dhe nuk e kanë regjistruar atë. Në këto kushte, kur Policia e Shtetit pretendohet se nuk ua ka vënë veshin, vajzat kanë zgjedhur të bëjnë vetëgjyqësi./ Zoom.al

Postime të lidhura