Aplikacion
Ditët e fundit, lajmet mbi ngjarjen e efektivit të Policisë Rrugore A.S., i cili dyshohej se kishte tentuar vetëvrasjen, kanë bërë bujë në portale dhe media të ndryshme. Sidoqoftë, raportimet kanë qenë kontradiktore dhe shpesh të mbushura me spekulime, duke nxjerrë në pah dallimin midis gazetarisë profesionale dhe atyre mediave që përhapin lajme pa verifikime të plota.
Efektivi i policisë A.S., pjesë e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Tiranë, pësoi një incident që u përhap fillimisht si një tentativë vetëvrasjeje. Policia, në një njoftim paraprak, deklaroi se efektivi kishte rënë nga një lartësi, por pa specifikuar detaje të sakta mbi rrethanat.
Spekulimet dhe deformimi i ngjarjes nga mediat
Shumë media nxitët një valë spekulimesh, si për shembull që ai u hodh nga 11 kate lartësi, dhe nxituan ta lidhin incidentin me ndalimin prej tij të djalit të biznesmenit S.M, i cili ishte ndaluar pas një aksidenti rrugor me dy motoçikleta dhe dyshohej se ishte nën efektin e alkoolit dhe kishte refuzuar të bënte testin e alkoolit. Sipas disa mediave online efektivi i policisë kishte pasur presion për ta ndaluar atë, ndërsa sipas disa të tjerëve presionin e kishte pasur për të mos e ndaluar.
A.S. dha një deklaratë për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke hedhur poshtë çdo pretendim për presion apo tentativë vetëvrasjeje. Ai shpjegoi se nuk ishte ndjerë mirë dhe se ishte nisur për të bërë një kontroll në spitalin civil, “Qendrën Spitalore Nënë Tereza”. Gjatë rrugës për në spital dhe kishte humbur ndjenjat, gjë që çoi në rënien e tij. Fatmirësisht, ai pësoi vetëm dëmtime të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndonëse pretendimet për presione u hodhën poshtë nga deklaratat e vetë A.S. dhe verifikimet e AMP-së, spekulimet u përhapën gjerësisht, duke e komplikuar më tej perceptimin publik mbi rastin.
AMP, në një deklaratë zyrtare, sqaroi se nuk kishte marrë ndonjë ankesë apo pretendim për presione ndaj A.S. Gjatë një deklarate për AMP në Spitalin e Traumës, A.S. konfirmoi me shkrim se nuk kishte përjetuar asnjë formë shantazhi apo ndikimi të paligjshëm në kryerjen e detyrës së tij.
Ministri i Brendshëm, në një postim në Facebook, denoncoi spekulimet mediatike, duke theksuar se ato synojnë të godasin Policinë e Shtetit për qëllime politike apo për përfitime komerciale. Ai nënvizoi se Policia nuk ka raste të tentativave për vetëvrasje të shkaktuara nga presione të tilla.
Media profesionale Vs. Media abuzive
Ky incident vuri në dukje qartë dallimin mes disa mediave abuzive dhe mediave profesionale:
•Mediat abuzive: Shpesh përhapin lajme të pavërtetuara për klikime ose për të ushtruar presion mbi individë dhe institucione. Shumë prej tyre kopjojnë materiale pa bërë verifikime, duke dëmtuar rëndë reputacionin e individëve dhe institucioneve.
• Mediat profesionale: E trajtuan këtë rast me maturi, duke qëndruar besnike ndaj të vërtetës dhe duke shmangur përhapjen e spekulimeve të pabazuara.
Ngjarja e efektivit A.S. është një kujtesë e fortë për përgjegjësinë që mbart media në raportimin e lajmeve. Sensacionalizmi dhe dezinformimi dëmtojnë individë dhe institucione, ndërsa gazetaria e ndershme dhe profesionale forcon besimin e qytetarëve tek informacioni publik.
Kjo ngjarje, si shumë të tjera, po tregojnë se ka ardhur koha për të rritur standardet e gazetarisë në Shqipëri dhe për të ndëshkuar ata që abuzojnë me këtë profesion, duke dëmtuar si reputacionin e medias, ashtu edhe individët që bien pre e spekulimeve të tyre. /Zoom.al
“Kryevepra” e qeverisë/ Këmbësorët nuk kalojnë dot, ura e Unazës së Madhe e mbytur në ujë