zoom

Bota

Biden fjalim lamtumire: Oligarkia po rrezikon demokracinë

Presidenti Joe Biden e shfrytëzoi fjalimin e tij të lamtumirës drejtuar amerikanëve të mërkurën për të paralajmëruar për një “oligarki” të ultra të pasurve që po hedh themelet në vend dhe për një “sektor të industrisë së teknologjisë” që po cenon të drejtat e amerikanëve dhe të ardhmen e demokracisë.

Duke folur nga Zyra Ovale teksa përgatitet t’i dorëzojë pushtetin Presidentit të zgjedhur Donald Trump të hënën, zoti Biden dha alarmin, për siç tha ai, akumulimin e pushtetit dhe pasurisë tek një grup i vogël individësh.

“Sot, një oligarki me pasuri, fuqi dhe ndikim ekstrem po merr formë në Amerikë, çka përbën kërcënim për demokracinë tonë, të drejtat dhe liritë tona themelore dhe dëmton të drejtën që të gjithë të përparojnë”, tha zoti Biden.

Ai tërhoqi vëmendjen për “një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit në duart e disa individëve ultra të pasur dhe pasojat e rrezikshme nëse shpërdorimi i tyre i pushtetit nuk vihet nën kontroll”.

Duke përsëritur paralajmërimet e Presidentit Dwight Eisenhower lidhur me sektorin ushtarako-industrial në fjalimin kur u largua nga detyra në vitin 1961, zoti Biden shtoi, “Jam po aq i shqetësuar për fuqizimin e sektorit teknologjiko-industrial që mund të paraqesë rreziqe të vërteta për vendin tonë”.

Alarmi i zotit Biden vjen pasi disa nga individët më të pasur në botë dhe titanët e industrisë teknologjike muajt e fundit janë rreshtuar përkrah zotit Trump, kryesisht pas fitores së zgjedhjeve të nëntorit.

Miliarderi Elon Musk shpenzoi më shumë se 100 milionë dollarë për të ndihmuar republikanin Trump që të fitojë zgjedhjet. Drejtues të tjerë të lartë, si Mark Zuckerbeg i kompanisë META dhe Jeff Bezos i firmës Amazon, kanë dhuruar para për komisionin e inaugurimit të presidentit të ri dhe janë takuar me zotin Trump në rezidencën e tij në Florida.

Postime të lidhura