Aplikacion
Shoqëria “AG TCC Hotel Management”, në pronësi të kunatës së Olta Xhaçkës, shtetases amerikane Tauni Lin Grizç-Suton, ka vendosur të pushojë përkohësisht veprimtarinë.
Vendimi është marrë në 1 Tetor 2024, por është publikuar vetëm së fundmi në faqen e Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Në foto: Vendimi për pezullimin e aktivitetit të shoqërisë “AGTCC Hotel Management”
Në 2 Mars 2023, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Ramës, miratoi vendimin “Për lejimin e përdorimit të brigjeve të plazhit përballë resortit investim strategjik “Dreamades Luxury Suites”.
Pas publikimit të këtij njoftimi, biznesmeni dhe ish-deputeti Artan Gaçi, njëkohësisht bashkëshort i ish-ministres së Mbrojtjes dhe aktualisht ligjvënëse socialiste, deklaroi publikisht se “AGTCC Hotel Management” ishte një shoqëri amerikane me shumë përvojë në menaxhimin e resorteve turistike.
Por, të dhënat e siguruara nga media zbuluan se shoqëria nuk kishte asnjë lloj përvoje të mëparshme dhe, për më tepër, pronarja e kësaj kompanie të regjistruar në Shqipëri ishte partnerja intime e vëllait të Olta Xhaçkës.
Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik” me firmën e kryeministrit Edi Rama në mars të vitit 2021. Projekti “Dreamades Luxyr Suites” parashikon ndërtimin e një resorti në bregun e Palasës, në Dhërmi, me vlerë 5 milionë euro.
Procedurat e ndjekura nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti i Investimeve Strategjike, të dy të drejtuar nga Rama, kanë shkaktuar polemika të fuqishme politike dhe ligjore.
Opozita ka kërkar që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë vlefshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës, duke argumentuar se ajo, nëpërmjet bashkëshortit Artan Gaçi, ka përfituar të mira publike, në kundërshtim me Kushtetutën.
Maxhoranca parlamentare socialiste ka refuzuar tre herë rresht në dy vitet e fundit që të dërgojë rastin e Xhaçkës para Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se kjo e fundit ka marrë vendim detyrues për t’i përcjellë çështjen para trupës gjyqësore. Në këtë linjë ishte edhe një Opinion i Komisionit të Venecias, i publikuar në dhjetor të vitit 2024.
Nga ana tjetër, çështja e pronësisë së truallit mbi të cilin është dhënë leja për ndërtimin e resortit të Artan Gaçit është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Më herët, SPAK-u ka vendosur nën sekuestro pronën, si edhe ka arrestuar ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, nën akuzën e falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës.
Deri më tani, Prokuroria e Posaçme nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj Artan Gaçit apo Olta Xhaçkës./Boldnews