zoom

Lajme

Rama degdis Bibliotekën Kombëtare/PD: A do kthehet kjo zonë në kulla, ky plan famëkeq duhet ndalur

Grigels Muçollari, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, u shpreh se kjo godinë historike, që të gjithë qytetarët e njohin, nuk do të jetë më Biblioteka Kombëtare.

Sipas tij, Edi Rama ka vendosur që këtë institucion kyç të kulturës dhe kombit ta zhvendosë në periferi të Tiranës, pa ofruar asnjë informacion për arsyet e këtij vendimi.

Muçollari theksoi se njoftimi i Korporatës së Investimeve vetëm tregon se projekti do të realizohet në zonën e “Vilave Gjermane”, pa shpjeguar çfarë do të ndodhë me godinën aktuale.

Ai ngriti dyshime mbi transparencën e procesit dhe përmendi mundësinë e ndarjes së pasurive publike për interesa klienteliste.
Muçollari vuri në dukje se ky plan nuk është i Ramës, por i qytetarëve të Shqipërisë, dhe se është e rëndësishme që qytetarët të reagojnë në zgjedhjet e 11 Majit për të ndalur këtë plan.

Deklarata e anetarit te kryesise se PD, Grigels Muçollari:

Kjo godinë historike këtu pas meje, që të gjithë qytetarët e njohin, nuk do të jetë më Biblioteka Kombëtare.

Edi Rama ka vendosur që këtë institucion kyç të kulturës dhe kombit ta degdisë në periferi të Tiranës, me një projekt aspak transparent.

Sipas këtij njoftimi që ka nxjerrë Korporata e Investimeve, thjesht mësohet se Biblioteka Kombëtare do të jetë në zonën që njihet si “Vilat Gjermane”. Në njoftim ftohen kompani që të paraqesin projekte.

Nuk ka asnjë informacion se pse u mor ky vendim, dhe çfarë do të ndodhë me këtë godinë këtu, pasuri e qytetit dhe e shqiptarëve.

Nuk dihet asgjë se me çfarë do të shpërblehet fituesi i paracaktuar, një mik i Edi Ramës.

A do të ketë fatin dhe ky ansambël këtu buzë Sheshit Skënderbej, si shumëkund, të kthehet në biznes fitimprurës klientelist, në një kullë qindra milionë euroshe?
Kjo mungesë transparence nuk vjen ngaqë Edi Rama nuk e di se çfarë do të bëhet. Përkundrazi, ai thjesht po e mban të fshehtë skemën e tij. Kjo mënyrë e trajtimit të objekteve e pasurive publike e shtetërore, tregon se ai e konsideron veten si pronar të tyre dhe mund të bëjë çfarë të dojë.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës.
Ky institucion kult i përket qytetarëve dhe shqiptarëve.

Duket se ka një nxitim të kryeministrit për të çuar shpejt e shpejt deri në fund planin që ka për pronat shtetërore për t’i ndarë me miqtë e tij. Dhe papritur çdo javë del një njoftim në një faqe të Korporatës së Investimeve ku mësohet se një godinë historike si kjo do fshihet, do zhduket.

Të gjitha këto, Edi Rama po i bën pak muaj para zgjedhjeve.
Për këtë arsye, për të ndalur dhe këtë pazar klientelist dhe korruptiv me pasuritë shtetërore, vota e 11 Majit ka rëndësi jetike.

Qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë duhet t’i tregojnë Edi Ramës se nuk është ai pronari i Bibliotekës Kombëtare, as i Galerisë, as i Muzeut, as i atyre dhjetëra objekteve që ka vendosur të shpërndajë tek miqtë e tij.

Ky plan famëkeq duhet ndalur, dhe 11 Maji është dita për ta ndalur.