zoom

Aktualitet

Hasimja nxjerr lakuriq Arlind Qorrin në emisionin propagandistik të Ylli Rakipit

Në një emision televiziv të organizuar nga Ylli Rakipi, në një përpjekje të qartë për t’i dhënë kreditet e fitores Arlind Qorrit në lidhje me debatin me gazetarin Bledi Fevziu, analisti Ermal Hasimja e vuri Arlind Qorrin përballë disa të vërtetave të cilave ai nuk mund t’u japë përgjigje.

Hasimja solli në qendër të vëmendjes çështje të ndjeshme si ideologjia politike, integriteti personal dhe marrëdhënia e figurave publike me mediat.

Pikë e rëndësishme e debatit ishte marrëdhënia e Qorrit me mediat. Hasimja i kujtoi atij se njohja e tij në publik nuk kishte ardhur nga aktiviteti politik, por nga hapësira e ofruar nga mediat. Ai shtoi se Qorri ankohej se nuk kishte mbulim mediatik të mjaftueshëm, por i tha se nuk kishte prova se ai gëzonte mbështetje të konsiderueshme në elektorat. Në fakt, Arlind Qorri pretendon se ka mbështetje, por në zgjedhjet vendore në Tiranë ai mori më pak vota seç kishte marrë dikur Gjergji Bojaxhi.

“Pretendimi për mungesën e hapësirës është patetik. Ju e keni ftuar sot zotin Qorri se është i njohur. Dhe si është bërë i njohur? Jo thjesht nga ato protestat, apo si pedagog, sepse ka shumë pedagogë që dalin në protesta e nuk janë bërë të njohur. Është bërë i njohur pikërisht nga ai instrumenti që ende sot është i fuqishëm që janë televizionet”, i tha Hasimja drejtuesit të emisionit, Ylli Rakipit, në dukje një idhtar i Arlind Qorrit ose përdorues i akuzave të tij për qëllime të ndryshme.

“A do të ishte mirë që të gjitha televizionet të ishin të gjitha të pavarura? Po, do të ishte mirë. Por si do t’i bësh ti të pavarura. Ku do ta caktosh atë metrin e pavarësisë. Në çfarë mënyre ti do t’i thuash dikujt që shiko, se këtë gjë që ka thënë ky zotëria këtu ti do ta paraqesësh kështu apo ashtu”, – shtoi Hasimja.

“Një element tjetër. Zoti Qorri ankohet për barazi. Pabarazi me kë? Me një Parti Socialiste që merr 1 milionë vota? Me një Parti Demokratike që merr në ditët e veta me të këqija 400 mijë, 500, 600 mijë vota? Pabarazi me këta, patjetër. Po kush je ti që të kërkosh me një parti që nuk e njeh askush dhe nuk është provuar dhe sprovuar në asnjë lloj zgjedhje dhe asnjë lloj gjëje dhe të kesh barazi me ata. Patjetër që është e vështirë të krijosh një parti të re, por nuk është kjo zgjidhja, që ta ngresh veten në piedestal dhe të thuash që shiko se “këta nuk po më trajtojnë mua në mënyrë të barabartë”. Nuk funksionon kështu” – përfundoi analisti Hasimja.

Qorri iu përgjigj duke thënë se është “kryetar i një partie” që ka dalë i treti në garën për bashkinë e Tiranës. Në fakt në atë garë morën pjesë vetëm 3 kandidatë dhe Qorri doli i fundit. “Nëse zoti Hasimja thotë se jam askushi, janë askushi, mendoj se është e padrejtë” – vijoji më tej Qorri.

Një tjetër pikë e nxehtë ishte debati për ideologjinë. Hasimja i kërkoi Qorrit të deklaronte qartë nëse ai është marksist, një pyetje të cilës Qorri nuk i dha kurrë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ndërsa mohoi ishte komunist, ai shmangu të pranojë ose të mohojë ndonjë lidhje me marksizmin. Hasimja vuri në dukje një foto të mëparshme të profilit të Qorrit, ku shfaqej Friedrich Engels, një ndër figurat kryesore të ideologjisë komuniste. Për këtë, Qorri tha se nuk e kujtonte se çfarë foto kishte pasur si profil.

Hasimja e sfidoi Qorrin duke theksuar se ai duhet të ishte i sinqertë me veten dhe publikun, duke pohuar ose mohuar lidhjet me marksizmin. Ai argumentoi se një deklaratë e tillë do të kishte pasoja për imazhin e tij publik: nëse pohonte se ishte marksist, do të humbiste mbështetjen e qytetarëve që e shihnin thjesht si një figurë të re dhe premtuese; ndërsa, nëse e mohonte, do të zhgënjente mbështetësit e tij brenda partisë.

Ai e akuzoi Qorrin për përpjekje për të përfituar nga protesta e studentëve, duke pretenduar se ai ishte larguar nga studentët kur ata e kuptuan se po përpiqej të shfrytëzonte protestën për përfitime personale. Kjo kritikë hodhi hije mbi rolin e Qorrit si aktivist dhe mbi përkushtimin e tij ndaj kauzave publike.

Hasimja: Ta kam bërë këtë pyetje edhe në një emision te Fevziu dhe ke filluar me 700 mënyra për të mos e thënë një gjë, atë që beson… Deri para se të futeshe në politikë, foto profili ke pasur Englesin.

Qorri: Nuk e mbaj mend. Ju e mbakeni mend më mirë se unë.

Hasimja: E mbaj mend se më ka bërë përshtypje… Për mua problemi është këtu. Dikush që i futet politikës duhet ta tregojë veten 100% për atë që është. Sepse nuk është normale që të thuash 700 gjëra, të fshihesh pas 700 formulimesh, jo programe etj, e të fshehësh atë që është realisht. Unë mendoj që do të ishte e ndershme ta pranosh atë gjë. Megjithatë, nuk do ta pranosh: Ok. Ta kam parasysh sikletin, pasi po e pranove që je marskist do heqësh dorë nga mbështetja e plot njerëzve që nuk e dinë realisht këtë gjë, që e njohin më pak politikën e thonë “o sa djalë i mirë është këtë. Nga ana tjetër po e pranove që nuk je marksist do humbësh respektin, vlerësimin që udhëheq te lëvizja bashkë që flisni ditë për ditë për Marksin dhe jo vetëm.

Qorri: Ku e dini ju për çfarë flasim nëpër takime?

Hasimja: Na një nga takimet tuaja, në kohën kur ka qenë greva e studentëve, që ju u përpoqët pa ndonjë sukses për ta akaparuar derisa nga ju nxorrën jashtë protesta përfundimisht, pavarësisht se ju pretendoni që e bëtë ju protestën, në atë kohë kam parë nga një nga takimet tuaja të të brendshme, në të cilat një nga kolegët tuaj aty që e kishte fjalën po tregonte se cilat ishin gabimet që ishin bërë në Revolucionin e Tetorit 1917 dhe sesi ju nuk duhet të bëni ato gabime, sesi strategjia do të jetë ishte që ta fusnit sistemit në kolaps dhe vetëm atëherë ku ta fusnit në kopals atëherë të merrnit pushtetin etj.

Debati mes Hasimes dhe Qorrit solli në vëmendje çështje të rëndësishme për publikun shqiptar, si transparenca, ideologjia dhe marrëdhënia e figurave politike me mediat dhe qytetarët. Për shumë njerëz, ky debat nënvizon nevojën për një komunikim më të hapur dhe të sinqertë nga ana e liderëve publikë, si dhe rëndësinë e një baze të fortë elektorale të ndërtuar mbi vepra dhe jo thjesht mbi imazh.

Por nga ana tjetër ai na tregoi edhe njëherë, se debate të tilla bëhen në disa banaqe televizive për interesa të caktuara, siç qe mbrojtja me çdo kusht e Qorrit nga Ylli Rakipi dhe imponimi i Rakipit që edhe mediat apo emisionet e tjera të ftojnë personazhet që mendon ai se vlejnë.

Për shembull, Ylli Rakipi, një nga kontributorët kryesorë të gjendjes së medias sot, si drejtues i dikurshëm i gazetës Albania apo si drejtues emisionesh politike, e ka orientuar shpesh debatin publik në çështje që i interesojnë atij dhe ka anashkuar ato çështje që prekin interesat e veta.  Ai në MCN nuk ka bërë asnjë emision për rikthimin e ligjit për bastet sportive dhe ka anashkuar trajtimin e mjaft çështjeve të tjera, ndërsa nga ana tjetër ai ka treguar vetë me zë e figurë se kur drejtonte gazetën Albania ka fshehur me qëllim të vërtetën për hapjen e portave të digës së liqenit Artificial që shkakoi përmbytje në Tiranë. Ai e akuzoi kryeministrin Rama shumë vite më vonë si përgjegjës, ndërsa Rama tha se akuzat vinin si pasojë e vendimit për t’i prishur një kontratë qiraje ku Ylli Rakipi kishte marrë nga OSHEE 2.6 milionë euro. Fshehja e një të vërtete kriminale dikur për Edi Ramën shton dyshimet se edhe sot pas mbështetjes së tij për Arlind Qorrin mund të fshihen po ashtu të vërteta të tjera në dëm të së mirës publike, për interesa personale. /Zoom.al

 

Postime të lidhura