Aplikacion
Sipas VKM-së së publikuar, përcaktohen kushtet fizike të ambjenteve ku do të kultivohet bima, proces që kërkon siguri të lartë. Qeveria kërkon që hapësira të ruhet 24 orë me pamje, ku ka akses dhe agjencia e Kultivimit të Kanabisit. Të ketë sensorë lëvizje me rreze infra red, përfshirë hapësirën jashtë zonës së kultivimit.
Në rast se është ambjent i jashtëm, duhet të rrethohet me një mur 25 cm trashësi dhe 4 m lartësi mbi të cilin vendoset tel me gjemba.
Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave. Kurse materialet teknike, të cilat garantojnë sigurinë dhe monitorimin, vendosen në një dhomë të veçantë të dedikuar brenda perimetrit të sipërfaqes ku ushtrohet aktiviteti, në të cilën ka akses vetëm personeli përgjegjës për sigurinë.
Por ka kritere edhe për licencuesin, i cili pas firmosjes së marrëveshjes me ministrinë e linjës duhet të plotësojë edhe kushtet e vendosura dhe rregulloren në fjalë.
“Mbajtësi i licencës duhet të ketë dhe të ndjekë procedura për të ruajtur dhe testuar efikasitetin e pajisjeve e të sistemeve të sigurisë. Mbajtësi i licencës duhet të kryejë inspektime periodike të pajisjeve dhe infrastrukturës nga subjekte të licencuara për këtë qëllim”, thuhet në vendim.
Skema e sigurisë së objektit së bashku me procedurat e sigurisë, planin e dislokimit dhe transportin e sigurt të cannabis-it përgatitet nga drejtuesi teknik i subjektit të ngarkuar për ruajtjen e sigurinë fizike dhe miratohet nga shefi i Komisariatit të Policisë së juridiksionit ku ndodhet objekti.
Vendimi po ashtu përcakton dhe kushtet e transportit të bimës apo nënprodukteve të saj, që duhet të kryhet me mjete të mbyllura që sigurojnë që ato të mos jenë të dukshme ose të identifikueshme nga jashtë automjetit dhe që të sigurojnë ruajtjen e barit në temperatura as më të larta e as më të ulëta sesa ajo që thuhet në etiketim ose fletudhëzuesin e barit.
Çdo lëvizje apo transportim kryhet vetëm pas marrjes së autorizimit nga Agjencia e cila miraton dhe datën e propozuar të lëvizjes apo transportit, sipas formatit të miratuar nga kjo e fundit dhe mjeti do të mjetë i pajisur me GPS.
Në çdo rast, për çdo lëvizje, transportim të farërave, fidanëve, lëndës së parë, të bimës së cannabis-it mjekësor, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve që asgjësohen nga një vend në një vend tjetër, subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktiviteteve të licencuara dhe të lejuara të bimës së cannabis-it dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, të dhënat për çdo mjet që bën transportin, si dhe punonjësit e shërbimit që shoqërojnë ngarkesën.
Procedurat doganore të eksport/importit mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të daljes nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë e mbrojtjen dhe, sipas rastit, këto procedura mund të fillojnë në zyrat doganore të brendshme kompetente për territorin ku janë vendosur ambientet e kultivimit dhe të përfundojë në zyrat doganore kufitare të daljes nga territori.Subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para procedurës doganore të import/eksportit Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Subjekti njofton jo më pak se 24 orë para mbërritjes së farërave dhe fidanëve institucionin përgjegjës për inspektimin fitosanitar në pikën e inspektimit kufitar ku do të hyjnë produktet.