zoom

Ide & Blog

1 shkurt, ditë pushimi

Nga Lutfi Dervishi

Enti Rregullator i Energjisë ka dhënë lajmin që shqiptarët prisnin prej shekujsh: çmimi i energjisë për konsumatorët që konsumojnë më pak se 700 kWh do të jetë 8.5 lekë për kilovat, dhe jo 9.5 lekë.

Një ulje madhështore prej plot 1 lek për kilovat! Për plot 11 muaj! Deri më 31 dhjetor 2025!

Qeveria, e ka quajtur këtë vendim një “arritje historike”.

Po sa është vlera e 1 lek për kilovat? Për ta ilustruar këtë triumf të madh, imagjinoni këtë: kursimi i një familjeje mesatare do të mjaftojë për të blerë… një pako makarona.

Historianët që tani kanë nisur debatin nëse kjo ulje prej 1 lek është “arritje historike” apo “moment hyjnor”.

Nëse 1 lek për kilovat është një arritje historike, si do të duket libri i historisë së Shqipërisë?

Kur historia të shkruhet, dhe skeptikët të bëhen për një lek, ky 1 lek për kilovat do të zërë vendin e tij përkrah arritjeve të mëdha kombëtare. Kështu që, kur nesër fëmijët të hapin librat e historisë, do të lexojnë:

“Në vitin 2025, katër muaj para ditës së zgjedhjeve qeveria shqiptare jo vetëm i kurseu 1 lek për kv familjeve për 11 muaj, por shkroi dhe faqen me të lavdishme të historisë.

Për ta përkujtuar këtë ditë 1 shkurti shpallet ditë pushimi në nderim të vlerës së 1 leku.

Si të mos jesh krenar që je shqiptar me këtë histori të paparë!

Postime të lidhura