Aplikacion
Nga detajet e sqaruara gjatë kësaj mbledhje ashtu sikurse është njoftuar edhe më herët nga përfaqësues të qeverisë, ka një rishikim në ulje të çmimit të energjisë sipas kërkesës së bërë nga kompania publike e shpërndarjes duke futur konceptin e çmimeve të diferencuara sipas fashave.
Konkretisht familjet që konsumojnë deri në 700 KWh të paguajnë një tarifë 8.5 lekë KWh nga 9.5 KWh që është aktualisht me një ulje me 10.5 për qind të çmimit të energjisë.
Çmimi i ri do të jetë në fuqi për periudhën nga 1 shkurti 2025 në 31 dhjetor 2025.
Ndërkohë sa i takon konsumatorëve që janë mbi këtë fashë pra kush konsumon 701 KWh do të duhet të paguajë të gjithë sasinë e energjisë nga KWh 1 në KWh 701 me çmim 9.5 lekë KWh.
Gjatë diskutimeve u nënvizua se fasha 700 KWh përfshin të paktën 80 për qind të konsumatorëve familjarë të lidhur në tension 0.4 kv duke vlerësuar kështu se ndikimi i uljes së çmimit prek një masë të madhe të familjeje.
FSHU analizoi bazën e të dhënave të saj sa i takon nevojave për të ardhura si dhe përbërjen e çmimit final duke përfshirë këtu atë të sigurimit të energjisë nga KESH, tarifën e shpërndarjes si dhe tarifën e transmetimit.
Po kështu gjatë mbledhjes së Entit u theksua se kompania publike e shërbimit universal do të vijojë me kryerjen e analizave bazuar në pasqyrat e auditimit të viteve të kaluara për të korrigjuar nevojat e saj./Monitor