zoom

Ide & Blog

Edi Rama dhe dy standardet ndaj hetimeve të SPAK për zyrtarët e PS-së

Në politikën shqiptare, qasjet e ndryshme të kryeministrit Edi Rama ndaj hetimeve të Prokurorisë për zyrtarët e Partisë Socialiste kanë nxitur debate dhe interpretime të ndryshme. Dy raste që kanë spikatur së fundmi janë mbrojtja e tij e hapur ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe qëndrimi kritik ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Këto qasje kontradiktore reflektojnë një dallim të theksuar në mënyrën se si Rama adreson sfidat që lidhen me korrupsionin dhe akuzat ndaj figurave kryesore të partisë së tij.

Gjatë hetimeve për disa tendera, në të ashtuquajturën “afera 5D” dhe disa transaksioneve të dyshimta në Bashkinë e Tiranës, përmes të cilave dyshohet se ka përfituar bashkëshorjtja e kryebashkiakut, Edi Rama ka dalë hapur në mbrojtje të Erion Veliajt. Ai ka theksuar se Veliaj është një lider i suksesshëm dhe ka vlerësuar punën e tij si kryebashkiak, duke e paraqitur atë si një viktimë të sulmeve politike dhe mediatike. Rama ka akuzuar opozitën dhe media të caktuara për përpjekje për të diskredituar Veliajn, duke e cilësuar këtë si një sulm të padrejtë ndaj reformave urbane dhe zhvillimit të Tiranës.

Ky qëndrim ka qenë i dukshëm në deklaratat publike dhe në mbështetjen politike që Rama i ka ofruar Veliajt, duke krijuar një atmosferë ku lideri i Bashkisë së Tiranës shihet si një “pasuri” e Partisë Socialiste dhe një figurë e mbrojtur nga vetë kryeministri.

Në të kundërt, qasja e Edi Ramës ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj apo edhe ish -zyrtarëve të tjerë të lartë të PS-së, ministra, deputetë apo kryetarë bashkish, ka qenë shumë më kritike dhe shpeshherë sulmuese. Ahmetaj është akuzuar për përfshirje në afera korruptive pas hetimeve të nisura për aferën e inceneratorëve. Në këto raste Rama ka theksuar rëndësinë e të bërit drejtësi dhe ka distancuar qartë qeverinë e tij nga individët e akuzuar.

Kryeministri ka lënë të kuptohet se nuk do të tolerojë askënd që mund të ketë abuzuar me pushtetin, duke e shoqëruar këtë qëndrim me tone kritike dhe, në disa raste, duke e cilësuar Ahmetajn e të tjerët si persona që kanë vepruar në kundërshtim me standardet e PS-së apo që “i kanë ngënë kumbulla pas shpine”.

Ky dallim midis mbrojtjes së Veliajt dhe kritikës ndaj Ahmetajt ngre pikëpyetje mbi parimin e barazisë përpara ligjit brenda Partisë Socialiste. Kritikët sugjerojnë se mbështetja e Ramës për Veliajn buron nga fakti që ai është një figurë kyçe në projektet politike dhe elektorale të PS-së, ndërsa distancimi nga Ahmetaj pasqyron përpjekjen e Ramës për të mbrojtur imazhin e tij si lider i një partie që lufton korrupsionin.

Dy standardet e Edi Ramës ndaj hetimeve të SPAK për zyrtarët e Partisë Socialiste janë shfaqur qartë në trajtimin e këtyre rasteve. Nga njëra anë, mbrojtja e hapur ndaj Erion Veliajt tregon një qasje të personalizuar dhe strategjike për të ruajtur figurat politike të rëndësishme për PS-në. Nga ana tjetër, kritika ndaj Arben Ahmetajt dhe ish -zyrtarëve të tjerë, si Saimir Tahiri, Lefter Koka, Alqi Bllako, Jurgys Çyrbja etj, sugjeron një përpjekje për të demonstruar një pozicion të fortë kundër korrupsionit, por që shpesh perceptohet si selektive. Këto qasje të kundërta pasqyrojnë sfidat e Edi Ramës për të mbajtur një imazh të pastër publik, por edhe tensionin që ai po përjeton teksa sheh t’i bien në rrjetën e drejtësisë së re të gjithë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Edi Rama ka nisur të mburret se ishte ai që e bëri reformën në drejtësi, aq sa kur u pyet se reformën e bënë amerikanët u përgjigj se “amerikanët bënë Noc Rrokun”. Por teksa nga njëra anë rreh gjoksin kur do të marrë meritat për punën e SPAK, nga ana tjetër ai e ka sulmuar disa here publikisht Prokurorinë e Posaçme, si në rastin e hetimeve që po kryhen për portin e Limionit që iu dha me koncesion biznesmenëve Shefqet Kastrati e Artan Dulaku, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi angazhimin e tij për të mbështetur drejtësinë e pavarur. /Zoom.al

Postime të lidhura