Aplikacion
Mediat amerikane shkruajnë se bëhet fjalë për shtetasen Joana Peca, me origjinë nga Gjirokastra. Oficerja e Informacionit Publik të Departamentit të Policisë në Shën Petersburg, Sandra Bentil ka pohuar për mediat amerikane se një telefonatë 911 erdhi rreth orës 17:30 pasdite të së shtunës ku thuhej se një personi ishte qëlluar. Kur oficerët mbërritën, Bentil tha se gjetën 27-vjeçaren të vdekur brenda një makine nga një plagë e dukshme me armë zjarri, ndërkohë që dy fëmijët e saj, ishin të padëmtuar, por të tmerruar. “Dy fëmijë të vegjël sonte do të shkojnë në shtrat pa nënën e tyre,” tha e prekur oficerja e policisë.
Aktualisht policia vazhdon të hetojë të dyshuarit e mundshëm për krimin e rëndë që i mori jetën shqiptares. Policia iu ka bërë thirrje gjithashtu qytetarëve që të raportojnë nëse kanë të dhëna mbi ketë ngjarje.
E reja shqiptare kishte emigruar prej kohësh për një jetë më të mirë në SHBA, ku ishte vendosur në Florida. Mësohet se shumë vite më parë, 27-vjeçares i kanë ekzekutuar babain në Shqipëri. Deri më tani nuk dihen rrethanat dhe arsyet se si ka ndodhur krimi në fjalë, ndërkohë që policia amerikane po heton.