Aplikacion
Institucionet në Vlorë kanë bërë thirrje për gatishmëri dhe për kujdes nga qytetarët përballë kushteve të motit, në pritje të mundësisë për reshje të tjera në orët në vijim.
Ndërkaq mësohet se trageti i linjës Vlorë-Brindisi është ankoruar për shkak të kushteve të këqija të motit.
Edhe autoritetet detare të Durrësit kanë paralajmëruar për kushte të përkeqësuara hidrometeorologjike në detin Adriatik dhe Jon duke filluar nga ora 08:00 e datës 23 dhjetor 2024.
Parashikimet tregojnë erëra të fuqishme me drejtim Jug-Juglindje dhe Veri-Veriperëndim, me forcë deri në 6-7 ballë, shpejtësi deri në 20 m/s dhe lartësi dallgësh deri në 3.3 metra.
Për të shmangur situata të rrezikshme, janë marrë dhe masat e mëposhtme:
Ndalimi i lejeve të nisjes për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë në det të hapur, duke filluar nga ora 08:00 e datës 23 dhjetor.
Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit janë të detyruar të marrin masa për sigurimin e mjeteve dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas itinerarëve të tyre.
Nga reshje intensive të shiut është përfshirë edhe qyteti i Fierit. Reshjet janë shoqëruar nga rrebeshe shiu të shoqëruar me erë të fortë.
Reshjet kanë filluar me intensitet të ulët në orët e para të mëngjesit, ndërsa aktualisht po bien me intensitet të lartë.
Nga burimet e informacionit nuk raportohen dëme apo përmbytje, ndërkohë që është vështirësuar qarkullimi i automjeteve.
Me rastin e festave të fundvitit, trafiku në të gjitha akset kryesore është rënduar.