zoom

Lajme

Shpallet fituesi i Festivalit të RTSH-së, kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision

“Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” fitoi Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH. “Zjerm” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025.

Ky grup mori 143 pikë, duke siguruar vendin e parë dhe mbështetje të madhe nga publiku dhe juria.

Elvana Gjata u rendit e dyta me këngën “Karnaval” dhe 135 pikë, ndërsa Alis mori çmimin e tretë me këngën “Mjegull”, duke marrë 59 pikë.

Të parat që u numëruan ishin votat e jurisë profesioniste, të cilat përsëritën rezultatin përfundimtar me “Shkodrën Elektronike” në vend të parë, Elvana Gjata në vend të dytë dhe vendi i tretë për Alis.

Renditja u përmbys nga vota e diasporës, e cila votoi për herë të parë në këtë festival, duke i dhënë shumicën e votave Elvana Gjatës dhe në vendin e dytë renditi “Shkodrën Elektronike”. Këngëtari Alis sërish e ruajti vendin e tretë.

Ishte numërimi i mesazheve SMS nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që i dha “Shkodrës Elektronike” përfundimisht Çmimin e Madh.

Tashmë, Shkodra Elektronike do të përgatitet për sfidën e madhe në Eurovision 2025.